Transmetuar më 11-11-2017, 20:12

Alket Hatiaj, njeriu që nga mediat italiane ka marrë epitetin si “Zot i drogës” ka dhënë një intervistë nga arratia për emisionin ‘Kjo javë’ në ‘News24’.

Nga baza ku fshihet, ai pranoi për gazetaren Klodiana Lala rolin e tij në grupin italo-shqiptar të trafikut të heroinës. 40-vjeçari, baba i dy vajzave thotë se “është e turpshme ajo që po bën drejtësia shqiptare me të.

Ai thotë se e ka pranuar akuzën që në procesin e bërë në Shqipëri duke vuajtur 10 vite e gjysmë burg. Tani që e kërkojnë për një dënim 20 vite burg nga gjykata e Milanos ai thotë se nuk ka lidhje me këtë dënim.

Në intervistën e dhënë në arrati ai thotë se ishin gjykatat shqiptare ato që ia njohën dënimin ndërsa tani kanë ndryshuar mendje.

“Zot i drogës? Kanë luajtur mendsh për Zotin. Nuk e di kush e thotë këtë. Unë e kam pranuar çfarë kam bërë. Unë vetëm 2-3 veta kam njohur megjithëse aty dolën gjithë ata veta. Unë kam pranuar dosjen time me çfarë kishte brenda. Tani shteti im po më merr peng. Nuk dorëzohem peng te njerëzit e paaftë. Le të më vrasin. Unë vetë nuk do të shkoj te këta. Nuk kam besim. Le të sqarojnë dosjen që ka ardhur nga Italia. Unë e kam bërë burgun për atë çështje. Unë burg tjetër nuk bëj sepse bëra 10 vite e gjysmë burg. Nuk njoh asnjë politikan. Nuk i jam afruar kurrë politikës”, thotë Hatija.

Klodiana Lala: Alket kur filluan problemet tuaja me drejtësinë?

Alket Hatija: Në vitin 2008, në 10 shtator të vitit 2008.

Klodiana Lala: Çfarë ndodhi asokohe?

Alket Hatija: Ka ardhur policia më ka kapur një bujë e madhe për llogari të Italisë. U morëm shkuam në gjykatë në polici, nga policia na dhanë masën e arrestit. Që nga momenti i masës së arrestit unë kam kërkuar personalisht ekstradimin tim në Itali.

Klodiana Lala: Çfarë ndodhi u ekstraduat po pati një gjykim ndaj jush në Shqipëri?

Alket Hatija: Në momentin që unë kërkoja gjykim, si në masën e arrestit si në apelimin e masës së arrestit prokurori thoshte që JO, ju nuk do të shkoni në Itali, sepse ne kemi marrëveshje. Dënimi që do kryhet këtu është i vlefshëm edhe në Itali.

Klodiana Lala: Pati një gjykim ndaj jush dhe sa u dënuat në përfundim të tij?

Alket Hatija: Në përfundim gjykimi ka shkuar, jemi arrestuar në 2008 dhe gjykimi ka mbaruar në maj të 2010, afërsisht dy vjet, pasi është hetuar dosja. Është hetuar dhe ka dalë në konkluzionin se këta persona janë të njëjtët persona që gjykohen për të njëjtin fakt në Itali dhe do marrin dënimin këtu. Jam dënuar 16 vjet.

Klodiana Lala: Sa kohë qëndruat në burg?

Alket Hatija: I kam pranuar të gjitha në kohën e gjykimit i kemi pranuar të gjitha ca ka patur dosja brenda, me faj pa faj, që shumë gjëra nuk mund ti kem bërë unë. Po unë prapë i pranova për efekt të gjykimit të shkurtuar se nuk kishim rrugë tjetër c’të bënim. Në Itali nuk na çonin të gjykoheshim. Ne kemi këmbëngulur deri në gjykatën kushtetuese, dhe përfundimisht gjykata ka dhënë që është dënim legjitim dhe sipas konventës që kemi me Italinë, gjykata ka dhënë që është i ligjshëm edhe për shtetin italian.

Klodiana Lala: Burime jo zyrtare brenda policisë së shtetit, thanë që ju jeni pronar i një vile me bunker nëntokësor, që ruhet nga roje të armatosura. Në fakt a keni ju në pronësi një vilë në qytetin e Beratit?

Alket Hatija: Kam që në ‘93 që kam ikur nga Berati dhe mund të kem shkuar, një herë në vit, i ka rënë apo si ka rënë. Shkoj më tepër të varri i babait, dhe për ata njerëzit e afërt që kam atje. Po jo të rrijë me vila, të rrijë me armë. Po si ka mundësi kur ata më thonë mua je zot i drogës, unë kur paskam kaq para pse të rri në bunker unë si qen?

Unë vetë nuk dorëzohem, policia le të më kapë.

Klodiana Lala: Pse?

Alket Hatija: Sepse nuk kam besim.