Transmetuar më 10-11-2017, 14:30
Publicitet

Bashkia e Tiranës nisi prezantimin dhe konsultimin e projektbuxhetit 2018 me banorët e Njësisë 7, duke vijuar traditën e mirë të krijuar dy vitet e fundit, ku janë qytetarët ata që vendosin prioritetet e investimeve në lagjen e tyre. Prezantimi i projektbuxhetit do të vijojë në të gjitha njësitë administrative të Tiranës, gjatë të cilave qytetarët do mund të japin sugjerimet e tyre mbi investimet e bashkisë.

Në prezantimin me banorët e Njësisë 7, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, nënvizoi se projektbuxheti i 2018 është 15% më i lartë se ai i një viti më parë dhe gati 3 herë më i lartë se buxheti i vitit 2014.

“Para dy vitesh, kur bëmë buxhetin e vitit 2016 vendosëm një standard. E vijuam vjet me buxhetin e vitit 2017 dhe po e vazhdojmë edhe këtë vit. Këtë vit e rrisim buxhetin me 15% krahasuar me një vit më parë, çka bën që të jetë buxheti më i madh historik i Bashkisë së Tiranës që nga themelimi i saj”, tha Veliaj.

Ai shtoi se rritja vjen si rrjedhojë e performancës së shkëlqyer në mbledhjen e taksave dhe tarifave, por kryesisht në zgjerimin e bazës së taksapaguesve, duke i dhënë fund fenomenit të trashëguar nga më parë, ku disa paguanin dhe disa jo.

“Fatmirësisht ‘jorgani’ i familjes tonë të madhe është trefishuar. Morëm një bashki me 1/3 e buxhetit dhe gjëja e parë që bëmë, vendosëm që s’do ketë diferencime, jo ca të nënës dhe ca të njerkës; pra, të gjithë do ta paguajnë ujin, të gjithë do t’i paguajnë taksat. Ishim në një situatë ku njerëzit e ndershëm që paguanin dukeshin si budallenj, sepse ca të tjerë nuk paguanin asgjë. Kështu, vetëm nga fakti që tani të gjithë paguajnë, buxheti i bashkisë u trefishua”, vijoi Veliaj.

Ai shtoi se si rrjedhojë e rritjes së buxhetit, edhe investimet që do të prekin Tiranën do të rriten me të njëjtin rritëm. “Meqë jorgani është rritur me 15%, edhe këmbët aq do t’i shtrijmë. Do të thotë që edhe investimet për Njësinë 7, që këtë vit kanë qenë në një vlerë të konsiderueshme, 440 milionë, do të rriten me këtë ritëm”, vijoi Veliaj.

Veliaj veçoi se ndërsa në dy vitet e para vëmendja iu kushtua kryesisht çerdheve dhe kopshteve, si dhe këndeve të lojërave, këtë vit vëmendja do të fokusohet tërësisht te shkollat. Por ai shtoi se, ndërsa në dy vitet e para krahasimi bëhej me atë që kishte bërë paraardhësi, tashmë për Bashkinë e Tiranës është sfidë krahasimi me vetveten. Ndaj, tha Veliaj, shumë shpejt do të nisë ndërtimi i 19 shkollave të reja. /b.l/noa.al/