Transmetuar më 10-11-2017, 07:46

Me kërkesë të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, gjatë mbrëmjes së të enjtes, policia e Tiranës ka kontrolluar banesën e gjyqtarit të Apelit në Tiranë, Shkëlqim Mirit. Gjyqtarit i janë gjetur në banesë rreth 300 milionë lekë të vjetra.

Burime për "News24" bëjnë me dije se prokuroria ka disa muaj që po heton për dyshimet për korrupsion rreth gjyqtarit. Sipas grupit të hetimit, gjyqtari i Apelit dyshohet të ketë marrë 20 mijë euro për të ndryshuar kualifikimin e një vrasjeje të ndodhur në Burrel, në vitin 1997.

Dyshohet se gjyqtari ka ndryshuar akuzën nga vrasja, në plagosje të rëndë me dashje. Shtetasi i akuzuar quhet Gentian Doda, i ekstraduar kohë më parë nga Los Anxhelos, në SHBA. Gentian Doda njihet si kundërshtar i familjes "Dedja".

Ngjarja për të cilën bëhet fjalë

Në korrik të vitit 2016, prokuroria e Matit ka kërkuar dënimin me 20 vjet burgim për Gentian Doda, i ekstraduar nga SHBA në 2012 i akuzuar për vrasjen e Gazmir Dedja dhe Asllan Gjoka, ngjarje e ndodhur në tetor të vitit 1997. Autori Gnetian Doda dhe viktima Gazmir Dedja kanë qenë atëherë anëtarë të grupeve rivale në Burrel, konflikti ndërmjet të cilëve ka vijuar për shumë vite dhe me shumë viktima. Përplasjet e ashpra ndërmjet dy grupeve rivale janë shtrirë edhe në qytete të tjera.

Në vitin 2010 në Tiranë është vrarë edhe vëllai i viktimës Halil Dedja i cili u gjet i vrarë në hyrje të pallatit ku jetonte. Ditën e ngjarjes së vitit 1997, Gentian Doda dhe Gazmir Dedja janë konfliktuar verbalisht dhe më pas, i pandehuri e ka qëlluar me automatik duke e plagosur rëndë. Nga plumbat ka mbetur i vdekur aksidentalisht Asllan Gjoka. I plagosuri ka mundur të mbijetojë vetëm dy ditë për shkak të plagëve të marra, por ka arritur t’iu tregojë familjarëve se kush e kishte qëlluar, duke identifikuar Gentian Dodën.

Menjëherë pas krimit, i pandehuri është larguar jashtë Shqipërisë dhe është arrestuar në vitin 2012 në SHBA në zbatim të urdhër-arrestit ndërkombëtar të lëshuar nga autoritete shqiptare. Pas ekstradimit i akuzuari kërkoi rivendosjen në afat dhe rishikim të dënimit të dhënë më parë ndaj tij për këtë vepër penale.