Transmetuar më 07-11-2017, 15:23
Publicitet

Presidenti Ilir Meta zhvilloi sot një vizitë në Fakultetin e Mjekësisë Veterinare të Universitetit Bujqësor të Tiranës, me rastin e 65-vjetorit të krijimit të saj.

Meta, në fjalën e tij drejtuar të pranishmëve, theksoi se në sajë të përkushtimit dhe punës së palodhur të pedagogëve dhe shkencëtarëve të këtij fakulteti si dhe përgatitjes së brezave të tërë të mjekëve veterinarë, Fakulteti i Mjekësisë Veterinare ka mundur të realizojë me sukses edukimin dhe arsimimin profesional të specialistëve të kësaj fushe të ekonomisë për ruajtjen e shëndetit të kafshëve dhe më tej për shëndetin publik.

“Ju të dashur pedagogë dhe studentë, duhet të jeni krenarë dhe njëkohësisht të kujtoni me respekt dhe mirënjohje të veçantë 14 studentët e parë të kursit të veterinarisë, të cilët me përgjegjësi ndërtuan themelet e këtij fakulteti të rëndësishëm. Është më shumë se e domosdoshme që brezat e studentëve që mbarojnë këtë fakultet të kontribuojnë në zhvillimin e blegtorisë në tërësi, e veçanërisht në prodhimin e qumështit, mishit, vezëve, mjaltit. Ajo është baza e zhvillimit të bujqësisë. Edhe industria jonë agro-përpunuese e cila i jep vlerë të shtuar prodhimeve tona bujqësore dhe blegtorale dhe siguron punësim të qëndrueshëm për popullatën”, theksoi Presidenti Meta.

Gjithashtu Presidenti i Republikës, duke nënvizuar se ekonomia shqiptare ndodhet përballë sfidës së madhe të integrimit në Bashkimin Evropian, vuri theksin tek domosdoshmëria për të rritur prodhimin blegtoral, për punësimin dhe për eksportet shqiptare, por mbi të gjitha plotësimin e standarteve të kërkuara nga Bashkimi Evropian dhe tregu i vendeve të tij anëtare.

Gjithashtu Meta përgëzoi studentët e këtij fakulteti për zgjedhjen e mençur të profesionit të tyre dhe i ftoi edhe të rejat dhe të rinjtë e tjerë të zgjedhin shkencat bujqësore dhe veterinare si pjesë të formimit të tyre profesional, sepse bujqësia, blegtoria dhe industria agro-përpunuese është mundësia më e madhe e punësimit në shkallë vendi. Kjo edhe sepse në procesin e integrimit Evropian të vendit, mbi 70% e fondeve mbështetëse do të shkojnë për bujqësinë dhe agrobiznesin. /b.l/noa.al/