Transmetuar më 06-11-2017, 20:41

Nga Vesela Çerneva

Ka ardhur koha që BE të lëvizë përtej “stabilokracisë” dhe t’u kundërvihet liderëve politikë kleptokratë nacionalistë.

Ballkani nuk është më i trazuar si më parë. Dhuna në shkallë të gjerë që e bëri rajonin shqetësim kryesor për politikën evropiane në vitet ’90 nuk është më tipar i politikës ballkanike.

Ky është progres, pa dyshim. Por mungesa e dhunës nuk do të thotë mungesë problemesh. Dobësia ekonomike, padurimi i njerëzve me liderët dhe tensionet e rinovuara etnike kanë krijuar një përzierje të paqëndrueshme nën sipërfaqen e qetë. Teksa vëmendja e Evropës për këto çështje është ulur, aktorë të jashtëm, kryesisht Rusia, por edhe Turqia e Kina, nisën të ndërhynin. Nëse Bashkimi Evropian dëshiron të ruajë stabilitetin dhe influencën në oborrin e tij të pasmë të trazuar, duhet të riangazhohet me Ballkanin.

Hyrja në BE duhet të mbetet një pjesë e rëndësishme e angazhimit evropian. Por duke parë problemet akute në rajon dhe hapin e ngadaltë të zgjerimit, BE duhet të marrë hapa konkretë, të menjëhershëm që mund të sjellin ndryshime për publikun vendas dhe të ndryshojnë dinamikën negative në rajon. Hapat duhet të përfshijnë rritjen e investimeve në ekonomitë ballkanike, përmirësim të asistencës teknike për qeveritë ballkanike dhe, më kryesorja, mbajtja e liderëve ballkanikë në standarde të larta politike.

Sëmundja ballkanike

Paqja ka sjellë një farë rritjeje të moderuar dhe reduktim varfërie në Ballkanin Perëndimor. Por korrupsioni dhe papunësia, veçanërisht midis të rinjve, e cila varion nga 39% në Malin e Zi në 54% në Bosnjë e Hercegovinë, mbetet plagë e përhershme. Jo rastësisht, pakënaqësia me politikën dhe politikat e ndjekura është në rritje. 71% e qytetarëve në rajon nuk kanë besim as te efektiviteti dhe paanshmëria e gjyqësorit. E gjitha kjo do të thotë që njerëzit kanë shumë pak shpresa për të ardhmen. 43% e qytetarëve të Ballkanit Perëndimor mendojnë emigrimin.

Përtej sfidave të ngjashme ekonomike, të gjashta vendet e Ballkanit Perëndimor ndajnë edhe tensione etnike që vlojnë, ndonëse secili ka specifikat e veta.

Shqipëria ka përçarje të madhe politike, ku politikat dhe marrëdhëniet klanore ndërthuren në një rrjet hakmarrjeje dhe korrupsioni. Trafiku i drogës dhe pastrimi i parave lulëzojnë në këtë ambient. Në vend që të merret me këto dështime qeveritare, Edi Rama, kryeministri shqiptar, kohët e fundit i ka përkeqësuar edhe më tepër, duke ngritur spektrin e Shqipërisë së Madhe, duke ushqyer frikën e separatizmit në Maqedoninë fqinjë.

Bosnjë Hercegovina ende vuan nga stanjacioni dhe bllokimi 22 vjet pas përfundimit të luftës civile. Përçarjet midis tre grupeve etnike janë rritur në dhjetë vitet e fundit. Vetëm pak nga institucionet shtetërore funksionojnë siç duhet në aspektin multi-etnik.

Banka Qendrore, për shembull, ka tre liderë konkurrues dhe ushtria ka gjasa të ndahet në linja etnike në rast krize. Basti i BE se ndërtimi i institucioneve do të krijonte një shtet multietnik është humbur për shkak të politikave etnike. Besnikëritë etnike janë forcuar më tepër se çdo institucion i ndërtuar nga të huajt.

Kosova po vuan për të krijuar një qeverisje të mirë, ndërkohë që përballet me tensione të reja me Serbinë. Kryeministri i Kosovës dhe heroi i luftës Ramush Haradinaj, dy herë i gjykuar në Hagë, ka kërcënuar me pretendim territorial për një të tretën e Serbisë. Prishtina ka rindezur tensionet edhe me Malin e Zi për demarkacionin e kufirit.

Në Maqedoni, kriza e brendshme politike shkaktoi tensione ndëretnike dhe madje edhe dhunë. Konflikte të reja nuk janë rrezik akut, por një krizë më e madhe vjen rrotull. Liderë si ish-kryeministri Nikola Gruevski vazhdojnë të luajnë “kartën etnike” për përfitime politike, çka rrezikon rindezjen e dhunës.

Mali i Zi arriti të anëtarësohej në NATO e t’i shpëtonte një përpjekje për grusht shteti të asistuar nga Rusia. Por është ende në fillim të procesit të reformave evropiane dhe ka nevojë të stabilizojë financat publike.

Në fund, zyrtarët serbë janë po aq të gatshëm për të provokuar tensione rajonale. Ministri i Jashtëm Ivica Daçiç kohët e fundit vuri në dukje se Serbia nuk duhej ta kishte njohur kurrë Maqedoninë me emrin aktual. Deklarata të tjera serbe u bëjnë jehonë akuzave në politikën e brendshme maqedonase që portretizojnë Zoran Zaev dhe koalicionin e tij të ri si një hap drejt shkatërrimit të Maqedonisë dhe krijimit të Shqipërisë së Madhe.

Tërheqje në “stabilocraci”

Sëmundja ballkanike ka efekt indirekt kur vjen fjala për legjitimitetin e BE. Vetëm 39% e publikut në rajon vazhdon ta shohë anëtarësimin në BE si gjë të mirë për ekonomitë e tyre. Më keq, liderët ballkanikë tani e shohin gjithë procesin e hyrjes me cinizëm. Një politikan vendas e ka përshkruar kështu: “Ne e gënjejmë (BE) se e kemi seriozisht për reformat, ata na gënjejnë se e kanë seriozisht për pranimin”.

Cinizmi i tyre mund të kuptohet. Publiku evropian duket kundër shtimit të anëtarëve të rinj në BE dhe nuk ia fsheh qeverive mendimin. Mjafton vetëm një grup politik evropian kokëfortë dhe një qeveri mosbesuese për ta hedhur në erë gjithë pranimin.

Në mungesë të një procesi hyrjeje efektiv, kërkimi për stabilitet në periferinë e Evropës ka motivuar liderët e BE të mbyllin një sy për intimidimin e opozitës dhe rritjen e autoritarizmit. Siç e kemi thënë në një raport më 2016, “këta ‘të paprekshëm’ trumbetojnë hetim e gjykata të pavarura, përdorin retorikë të fuqishme populizmi e nacionalizmit më

Raportet Vende në Tranzicion të Freedom House dhe klasifikimi i demokracive për vitin 2016 tregon se pothuajse të gjitha vendet në rajon kanë pasur rënie në rezultatin e demokracisë. Rënia më e madhe ishte në Maqedoni, e cila mbeti e kapur mes krizave politike e demokratike për pjesën më të madhe të vitit. Ngjitur me të ishte Serbia, kryesisht për shkak të parregullsive në zgjedhjet parlamentare 2016 dhe rënies së përgjithshme në qeverisjen demokratike.

Një ‘stabilokraci’ e tillë, siç njihet në rajon, amplifikon problemet e Ballkanit Perëndimor. Ajo ushqen korrupsionin, përzë rininë dhe e shtyn vendin larg BE.

Ka ardhur e ikur koha që BE të lëvizë përtej stabilokracisë. Angazhimi me sfidat ekonomike është një rrugë e qartë për dhënien e rezultateve konkrete. Integrimi në infrastrukturë, transport, energji e dixhital janë të gjitha në axhendën e procesit ekzistues të Berlinit që kishte si synim rigjallërimin e procesit të pranimit. Në të vërtetë, ka mbështetje të fortë publike në vendet e Ballkanit Perëndimor për më tepër bashkëpunim rajonal. Kjo nismë e nisur nga Gjermania duhet të çojë në krijimin e një fondi infrastrukture por çdo përpjekje serioze do të kërkonte nga vendet anëtare të dyfishonin fondet në dispozicion.

Por sfida e vërtetë do të jetë politike. BE nuk duhet të lejojë liderë si Gruevski të qëndrojnë aq gjatë në pushtet në asnjërin prej vendeve kandidate. Me kalimin e kohës ata nuk kanë më kontroll e ekuilibër dhe i shkelin parimet bazë të qeverisjes demokratike.

Kjo do të thotë që BE duhet të jetë më politik e më tepër i bezdisshëm, por vetë institucionet e BE nuk kanë traditë në ndjekjen e një linje të tillë të ashpër. U desh ndërhyrja e SHBA për të zgjidhur krizën e fundit në Maqedoni, megjithëse zyrtarë të ndryshëm të lartë evropianë e kishin vizituar Shkupin para delegacionit amerikan.

Vende si Holanda që kanë rezultat në punën me ligjet për çështjet e të drejtave të njeriut duhet të kenë një qëndrim më të spikatur. Ndërkaq, edhe pas Brexit, Britania e Madhe mund të përfshihet në bisedimet në lidhje me sigurinë. Liria e medias dhe legjislacioni për OJQ-të janë të tjera zona sensitive ku anëtarë të veçantë (si Franca apo Spanja) mund të luajnë rol të spikatur. Investimi në konsultim teknik me qeveritë se si të ristrukturojnë sektorë publikë vitalë, si shëndetësia e arsimi, duhet të sjellë rezultatet të mëdha.

BE nuk mund të supozojë se praktika e zakonshme do të sjellë stabilitet në Ballkan. Kjo do të kërkojë bashkim harmonik të instrumenteve të pranimit me ambicie ekonomike dhe qartësi politike.