Transmetuar më 01-11-2017, 23:27

Banka e Shqipërisë vlerëson se perspektiva afatmesme e zhvillimit ekonomik të vendit mbetet pozitive. Sipas saj, përmirësimi i ambientit ekonomik pritet të sjellë kthimin e inflacionit në objektiv, brenda gjashtëmujorit të parë të vitit 2019.

Banka e Shqipërisë pret një rritje më të lartë ekonomike, e ndikuar nga rishikimi për lart i vlerësimit për ritmin potencial të rritjes, në përgjigje të përmirësimeve strukturore të ndodhura në ekonominë shqiptare.

Në të njëjtën kohë, rishikimi për lart i potencialit shtyn në kohë parashikimin e BSH për kthimin e ekonomisë në ekuilibër dhe të inflacionit në objektiv. Ai nënkupton se, krahasuar me vlerësimet tona të mëparshme, kapacitetet prodhuese të ekonomisë janë më të mëdha dhe shfrytëzimi i plotë i tyre do të kërkojë një kohë më të gjatë.

Sa i takon inflacionit, shtyrja në kohë e përmbushjes së objektivit pasqyron edhe nevojën për absorbimin e plotë të goditjeve të ofertës dhe për shuarjen e efekteve frenuese që vijnë nga ecuria mbiçmuese e kursit të këmbimit.

Projeksionet e mësipërme, sipas BSH faktorizojnë forcimin e kahut stimulues të politikës monetare gjatë gjithë horizontit afatmesëm. Ato mbeten, gjithashtu, të kushtëzuara nga materializimi i pritjeve për një ambient të jashtëm më të favorshëm dhe për një rikuperim më të shpejtë të aktivitetit kreditues në vend.

Rënia në nivelin 14.78% e raportit të kredive me probleme në muajin shtator tregon se bilancet e sektorit bankar po përmirësohen dhe se rreziku i kreditit po vjen drejt reduktimit.

Në këtë kontekst, Banka e Shqipërisë gjykon se rritja e kërkesës për kredi duhet të ndiqet nga politika më të favorshme dhe largpamëse kreditimi nga sektori bankar.

Në të kundërt, zhbalancimi i mëtejshëm i kërkesës dhe ofertës për kredi do të frenonte ritmin e rritjes ekonomike dhe do të ishte një mundësi e humbur për sektorin bankar.

Nga ana tjetër, Këshilli Mbikëqyrës i BSH konstaton se intensiteti i stimulit monetar nuk do të zbutet para tremujorit të katërt të vitit 2018. Politika monetare stimuluese e ndjekur nga Banka e Shqipërisë ka pasur efekte pozitive në nxitjen e kërkesës agregate, në rritjen e aktivitetit ekonomik dhe në rritjen graduale të inflacionit drejt objektivit;

Balanca e rreziqeve mbi parashikimet tona po vijon të zhvendoset në kahun e poshtëm, si në afatin e shkurtër dhe në atë të mesëm. Në këto rrethana, Këshilli Mbikëqyrës gjen me vend të theksojë se, në rast të materializimit të goditjeve të mëtejshme apo të ndikimit të mundshëm negativ të tyre mbi pritjet për inflacionin, përmbushja e objektivit të inflacionit mund të kërkonte një qëndrim edhe më akomodues të politikës monetare. Në përgjigje të tyre, Këshilli Mbikëqyrës thotë se do të ishte i gatshëm të merrte në konsideratë lehtësime të mëtejshme të kësaj politike.