Transmetuar më 01-11-2017, 11:02
Publicitet

Muaji Tetor njihet si muaji i sensibilizimit ndaj kancerit të gjirit dhe kësaj iniciative i është bashkuar Ministria e Mbrojtjes për të disatin vit radhazi. Një mamografi lëvizëse, e cila kryen diagnostikim falas është vënë në dispozicion nga Ministria e Shëndetësisë për të diagnostikuar të gjitha zonjat që shërbejnë pranë Forcave të Armatosura të Shqipërisë dhe Ministrisë së Mbrojtjes.

Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, ka qenë pranë grave e vajzave të Forcës Tokësore ku ka bërë thirrje për të mos neglizhuar shëndetin.

“Gruaja e ka në natyrën e vet vetsakrifikimin. Bën gjithçka për këdo dhe për gjithçka tjetër përveçse për veten. Unë jam shumë e lumtur sot që ne kemi mundësinë që një pjesë të madhe të grave të Forcës tonë Tokësore ta diagnostikojmë përmes mamografisë të lëvizshme.

Jam shumë e kënaqur që Ministria e Shëndetësisë na e ka dhënë këtë mamografi sot, na e ka sjellë këtu në Forcën Tokësore për të na mundësuar këtë shërbim të jashtëzakonshëm për të parandaluar një sëmundje që është jashtëzakonisht e rrezikshme dhe merr masivisht jetën e grave dhe nënave.

Rëndësia e jetës është e veçantë por për një grua rëndësia është e dyfishtë, është e tillë sepse ajo edhe dhuron jetë dhe për të qenë në gjendje të dhurojmë duhet të mbrojmë atë që kemi”, ka shtuar Xhaçka.

Në një thirrje të veçantë për të mbrojtur shëndetin ministrja e Mbrojtjes ka theksuar edhe njëherë nevojën që kanë femrat për tu ekzaminuar dhe këtë shërbim që po iu ofrohet ta përdorin në dobi të tyre.

Kjo mamografi lëvizëse ka njohur histori suksesi. Zonja Naime Lika, 55 vjeç, pjesë e Batalionit të Forcave Speciale u ekzaminua një vit më parë me kancer të gjirit nga shërbimi i mamografisë lëvizëse. Sot, një vit më vonë, zonja zbuloi se ishte totalisht e shëruar dhe çdo gjë fal kapjes në kohë të problemit.

Një tjetër zonjë, Fatmira Ismailaj, specialiste në Stërvitje në Kompaninë e Zbulimit të Batalionit Komando, ishte shumë e kënaqur për këtë mundësi që Ministria e Mbrojtjes iu kishte dhënë zonjave të FARSH dhe i bëri thirrje të gjitha femrave të mos neglizhonin shëndetin e tyre.

“E kreva ekzaminimin dhe dola shumë mirë. E pata bërë edhe para gjashtë vitesh, e bëra për merak. Kjo është një nismë shumë e mirë e qeverisë shqiptare dhe MM dhe i bëj thirrje të gjithë femrave shqiptare mbi 40 vjeç ta bëjnë këtë që ta kapin në momentin e parë sepse shpëtojnë edhe jetën e tyre”- tha znj. Ismailaj.

Ministria e Mbrojtjes dhe Ministria e Shëndetësisë bashkëpunojnë prej disa vitesh për të mundësuar diagnostikimin falas të kancerit të gjirit me anë të mamografisë lëvizëse.

Kjo pajisje do të lëviz në të gjithë repartet e FA për t’iu ardhur në ndihmë të gjithë efektivëve civile ose nën uniformë. Ky bashkëpunim midis Ministrisë së Mbrojtjes dhe Ministrisë së Shëndetësisë vjen për të disatin vit radhazi dhe i ka ardhur në ndihmë disa zonjave për të kapur që në hapat e para përparimin e kancerit të gjirit.

Loading...