Transmetuar më 30-10-2017, 09:53

Në ditët e fundit të këtij viti familjet me ndihme ekonomike, rreth 80 mijë të tilla, do të marrin shpërblimin e fundit vitit.

Lajmi është njoftuar zyrtarisht nga Ministria e Financave në relacionin e projektbuxhetit, por masa e shpërblimit nuk është përcaktuar ende.

Vitin e kaluar kjo kategori përfitoi shpërblim 2500-3000 lekë. Skema e shpërblimeve këtë vit pritet te shtrihet edhe ne kategorinë e pensionistëve siç është bërë traditë tashmë dhe disa kategori të tjera të popullsisë.

Gjithashtu Ministria e Financave sqaron se mbi 32 mijë familje që janë pjese e ndihmës do ta marrin deri në fund të vitit një pagese mujore dy-trefish më të lartë.

Gjatë vitit 2018 pritet të jetësohet një projekt që rrit efikasitetin dhe transparencën e skemës së ndihmës ekonomike nëpërmjet administrimit të regjistrit elektronik kombëtar dhe përdorimit të sistemit të pikëzimit.

Qëllimi është rritja e shenjëstrimit dhe mbulimit të familjeve të varfra, krijimi i një sistemi të paanshëm dhe transparent, duke ulur subjektivitetin në vendim-marrje, si dhe rritja e efiçencës në administrimin e skemës.

Targetimi i më të varfërve do të bëjë të mundur “pastrimin” e skemës nga abuzuesit dhe futjen në skemë të familjeve më në nevojë.

Brenda vitit 2018, skema do të shkrihet në nivel kombëtar duke përdorur kritere të reja gjithëpërfshirëse. Për vitin 2018 janë parashikuar të përfitojnë nga skema e ndihmës ekonomike 79,891 familje. Gjithashtu parashikohet të trajtohen me pagesa të aftësisë së kufizuar 164,410 persona (persona me aftësi të kufizuar, kujdestarë të PAK dhe invalidët e punës). /Monitor