Transmetuar më 28-10-2017, 14:33

Milan-Juventus është supersfida e Seria A, që mezi pritet nga opinioni futbolldashës mbarëbotëror, jo vetëm në Itali. Kjo ndeshje do të luhet sonte, në “San Siro”, ora 18:00.

Trajneri Masimilliano Allegri e gjen përsëri sulmin, ndërsa Vicenso Montella konfirmon modulin 3-4-2-1. Kuqezinjtë e suksesshëm do të largonin pjesën më të madhe të skepticizmit, që ata kanë grumbulluar me tri humbjet para disfatës ndaj Chievos.

Të besuarit e Allegrit kanë nevojë për një sukses, për të pastruar ato çarje që, pavarësisht goleadës, janë bërë të qarta në ndeshjet e fundit. Juventusi do të kthejë në stol Douglas Costa dhe Bernardeschi, ndërsa në shtëpi, Milani do të propozojë për ndeshjen e tretë radhazi skemën 3-4-2-1, që duket ideale për të dalë përfundimisht nga kriza.

Montella ka të pezulluar Bonucci, por mbrojtja me tre nuk preket: Zapata dhe Ricardo Rodriguez nga krahët, ndërsa Romagnoli në qendër, shkruan telesport. Pra, Musacchio e nis nga stoli.

Në mesfushë, habia është Abate, i cili do të luajë në të djathtë, ndërsa në të majtë do të ketë Borini. Biglia do të jetë atje dhe do të bashkohet me Kessie në qendër të mesfushës. Sulmi kuqezi pritet të përbëhet nga dueti Suso-Calhanoglu, që do të mbështesin “pykën” Kalinic.Juventusi e nis nga minuta e parë me Buffon, Chiellini, Pjanic dhe madje, edhe Mandzukic, i cili pushoi një ndeshje.

Me Lichtsteiner në të djathtë dhe Pjanic-Khedira në mesfushë, Barzagli dhe Chiellini në qendër të prapavijës, dhe Asamoah në të djathtë, Juventusi do të aktivizojë Cuadrado pas pikës qendrore sulmues, që është Higuain. Ai do të ndihmohet nga krahët e ofensivës prej dyshes Dybala dhe Mandzukic. /b.l/noa.al/