Transmetuar më 27-10-2017, 17:50
Publicitet

Është një supë thjeshtë për t’u përgatitur dhe mbi të gjitha ju ndihmon të ngriheni më shpejt në këmbë nëse jeni prekur nga gripi. Për të ju duhet një pulë ose zog fshati që ta bëjë lëngun më të mirë.

Përbërësit:

gjysëm pule fshati ose pjesë të ndryshme kofsha, gjoks etj, 1 qep, 2 karrota, 1 deg selino, 1 limon, 2 lugë miell, kripë dhe piper i zi, majdanoz ose barë qepe “çivez”, 1 lugë gjalpë

Përgatitja:

Ndani pulën në copa  dhe vendoseni të ziej në ujë të bollshëm me qepën, karrotat dhe selinon me pak kripë. Lëreni të ziej për rreth 1 orë derisa mishi të shkëputet lehtësisht nga kocka. Pastaj hiqni copat e pulës pastrojeni nga kockat dhe lëkura dhe tulin vendoseni në mikser.

Bluajeni me pak lëngë derisa të bëhet një krem. Ruajeni këtë krem për një tjetër hap të recetës. Filtroni dhe lëngun dhe ruajeni mënjanë.

Tani skuqni miellin me pak gjalpë derisa të zverdhet paksa dhe shtoni në të lëngun e pulës, përziejeni që mos t’ju bëhet me kokrriza, shtoni dhe kremin e mishit që bluam.  Përziejeni mirë dhe rregulloni me kripë dhe piper të zi.

Lëreni të ziejë në zjarr të avashtë derisa të ajkoset dhe të bëhet e shijshme. Shërbejeni  të nxehtë me lëngë limoni dhe majdanoz të grirë imët nëse dëshironi. Unë e shërbeva me barë qepe “çivez”. /Adda’s All/