Transmetuar më 26-10-2017, 10:12
Publicitet

Kryeministri Edi Rama thotë se investimet e huaja kanë një rëndësi jetike dhe sot përbëjnë prioritetin e prioriteteve.

Duke folur paraditen e kësaj të enjteje, në Konferencën e Dhomave të Tregtisë, deklaroi se nëse do të kthehet koka pas, ku u nis rrugëtimi për të qenë këtu, pa dyshim që është bërë shumë dhe gjithçka është rezultat i një politike të fokusuar tek nxitja dhe mbështetja e biznesit.

Ai tha se sot ka rreth 50 mijë biznese më shumë që operojnë në Shqipëri se katër vite më parë.

“Kemi qenë të detyruar për shkak të kushteve në të cilat gjetëm vendin për të bërë operacione shumë të vështira dhe që sollën edhe dhimbje të posaçme. Por sot mund të themi me plot gojën se jemi në kushtet ku mund të zhvillojmë një model të ri ekonomik, jo tek dërgesat e emigrantëve, por tek investimet që ofrojnë mundësi reale”, u shpreh Rama.

Ai tha se sot ka një ministre shteti për sipërmarrjen, për të trajtuar çdo problem të vogël apo të madh, që lind mes sipërmarrjes dhe burokracisë.

Sipas tij, ministrja e shtetit Sonila Qato, ka për detyrë që të ndërhyjë për çdo problem që ka një sipërmarrje me shtetin apo burokracitë, të ndjekë të gjitha shkallët në mënyrë që të mos konsumohen energjitë dhe gjendja e sipërmarrjes të mos rëndohet, duke kaluar cikël pas cikli.

Ai i ftoi sipërmarrësit pa përjashtim që të mos ngurojnë ta përdorin këtë mundësi të re, ashtu sikundër është dhe platformën e bashkëqeverisjes që ka një dritare të posaçme për biznesin.

“Ministrja e shtetit është avokatja e sipërmarrjes përballë qeverisë. Çdo ministër do japë përgjigje me përgjegjësi personale në mënyrë që tu japim dërmën gjithë atyre situatave që krijohen nga administrata. Nëse sipërmarrësit bashkëpunojnë për të kaluar në këtë urë, nuk do të gjejnë më shesh për përshesh”, u shpreh ai.

Po ashtu tha se vendosja përpara përgjegjësisë e këtyre figurave të rëndësishme të shtetit, siç janë tatimorët, doganorët e strukturave të ndryshme, mund të realizohet shumë lehtë nëse sipërmarrësi e kupton se nuk është vetëm, ndaj nënvizoi se mjafton një mesazh ministres së shtetit për mbrojtjen e sipërmarrjes dhe ka avokatin në dispozicion.

Rama u zotua se do të vazhdojë puna për të patur numrin më të ulët të dokumenteve që i kërkohet sipërmarrësve në Europë.

Ai tha se pavarësisht se çfarë thuhet dhe këndohet në frëngjitë e medias, Shqipëria është një vend i sigurtë për sipërmarrjen.

Në këtë linjë shtoi se për të dytin vit radhazi ka pasur një rritje eksponenciale të kërkesës dhe është rreth 25% më e ulët oferta se sa kërkesa, çka sipas tij ka nevojë për më shumë kapacitet për të përballuar kërkesën për infrastrukturën e mikpritjes.

Ai tha se kërkesa po vjen në rritje për infrastrukturën e nivelit të lartë për turizmin, me 4 dhe 5 yje.

Rama deklaroi se për çdo investim me 4 apo 5 yje të ketë një periudhë dhjetë vjeçare pa taksa, si mënyrë për të qenë më konkurrues dhe për të patur impakt pozitiv në sektor. /a.y/noa.al 

Loading...