Transmetuar më 22-10-2017, 21:08
Publicitet

Petrit Kumi është fotograf i vjetër nga ata që kanë fiksuar ndër të parët në foto Shqipërinë e para viteve ’90, por për më shumë se 15 vite ka qenë fotografi personal i ish-diktatorit, Enver Hoxha.

Realizuesi i mijëra fotove tregon në një intervistë për Dita-n si fotografohej nën diktaturë dhe një rrëfim për portretin e fundit të ish-diktatorit Hoxha.

Kur ke rënë për herë të parë në kontakt me Enver Hoxhën?

Isha me shërbim jashtë Tiranë dhe sa kthehem në shtëpi, gjej gruan të shqetësuar se kishte ardhur në copë letër, e cila thoshte se të nesërmen që i binte ditë e diel, duhet të shkoja në familjen Hoxha. Më thuhej do hysh në filan portë, në filan orë dhe unë fillova të shqetësohesha, se si do ta bëja.

Për cilin vit bëhet fjalë?

Fundin e viteve ‘60, kur isha në moshën e pjekurisë dhe isha rritur profesionalisht. Nejse, shkova atje pasi kalova ato korridoret e gjata dhe prita dy a tri orë. Takova gruan e Hoxhës, e cila donte disa foto të bukura. Pasi bëra shkrepjet e para, u çlirova dhe unë nga emocionet. Se duhet të kuptoni një gjë, nuk ishte e thjeshtë të ishe përballë atij. Prova kaloi me sukses dhe familja i pëlqeu të gjitha fotot.

Po pas fotove të para?

Më pas në çdo aktivitet isha unë fotografi që shkoja pas tij, si në udhëtime jashtë ashtu dhe brenda vendit. Mbaj mend që kur u thashë njëherë, në vitin 1978, se jam sëmurë nga veshkat, më thanë: “Eja se ka mjek me vete”. S’duhej të mungoja dhe në fakt ne ishim të detyruar, s’mund të thonim jo. Ishim si ushtarë.

Ju ishit vetëm një fotograf për të, apo keni pasur dhe një marrëdhënie deri diku miqësore?

Nuk mund të bëhej fjalë për miqësi.

Si sillej ai përballë aparatit?

Aktor. Nuk e kishte problem. Plus që ishte burrë i pashëm dhe me atë nuk e kisha problem, pasi nuk kishte foto që të dilte keq.

Cili ka qenë momenti më i sikletshëm për ju?

Vizitat kishin lodhje fizike të madhe. Kërkoja të kapnim një pikë të veçantë dhe mua nuk më imitonte dot askush. Dëshira ime ishte që fotografinë time ta merrnin dhe vendosnin në shtëpi. Momenti i sikletshëm ka qenë fotografia e fundit e Enver Hoxhës, sepse mora një porosi kur unë isha drejtori i fotografisë në ATSH në vitin 1984. Duhej të shkoja në shtëpinë e Enver Hoxhës dhe t’i bëja një foto. Më dhanë porosi të veçantë dhe një nga dhomat u kthye në studio.

Pse e bëtë dhomën studio?

Nuk e dija arsyen në atë kohë. Ashtu e bëmë, unë bashkë me kunatin tim, i cili nuk jeton më dhe që mua më ka dhënë një përvojë të madhe. E mora të më rregullonte ndriçimin sepse ai ishte specializuar në këtë pjesë. Ajo që kujtoj është se kam pritur 13 ditë rresht që Enver Hoxha të vijë të bëjë fotografinë.

Pse u deshën 13 ditë?

Unë këtë nuk e zbuloja dot në atë kohë. Dikush thoshte se ishte shumë i zënë me punë, dikush tjetër thoshte një arsye tjetër. Po unë isha i vetëm në atë dhomë. Shkoja në orën 9 dhe rrija deri në orën 14:00 pasdite, çdo ditë. Shkoja në mëngjes dhe më thoshin rojet, “mos u mërzit se sot më duket se do dalë”. Në ditën e 13-të erdhi me të shoqen dhe shoqëruesin e tij Sulo Gradeci. Unë e kisha përgatitur studion duke marr në provë dy punonjës që ishin të gjatë si Enveri, sepse duhej të llogarisja ndriçimin për një njeri të gjatë. Kisha bërë disa foto me persona të tjerë për të llogaritur ndriçimin sipas orarit. Pas nuk mund të bëja me të njëjtin ndriçim si në orën 10 apo dhe në orën 14.00. Nexhmija më thoshte: “Jepi pra, duarve”. Por ishte absurde se më mbajti 13 ditë për të pasur një fotografi të bukur dhe në fund më thoshte: “Jepi duarve”.

Si arrite ta realizoje atë fotografi?

Më ndihmuan disa mësime që i kisha marrë. Më parë kisha bërë një vizitë në Kinë ku fotografi i Mao Ce Dunit më tregoi disa truke që bënte me Maon për ta fotografuar. Ai në fillim i bënte atij një bisedë, i fliste për rritjen ekonomike apo se si do të jetë koha, dhe a po mban mirë. Kjo e sillte në humor dhe i sillte një pamje më të qeshur dhe kështu çlirohej nga mendimi se do bënte fotografi. Edhe unë kur isha përballë Enverit në ato momente, e pashë që ishte pak i kontraktuar dhe i them: “Moj shoqja Nexhmije, po sikur t’i marrim ata fëmijët e t’i vendosim rreth e rrotull” – kujtova kështu fotografin kinez. Unë s’mund të flisja për bujqësi e ekonomi se s’më linte njeri, por mendova më mirë këto fjalë.

Përgjigja e Nexhmijes ishte nervoze: “Po ti ç’flet”, tha, “unë them jepi duarve, ti kërkon fëmijët”. Dikush tjetër rreth e rrotull dëgjonte dhe vepronte. Pas 10 minutash erdhën fëmijët. E mora më të voglën dhe ia vendosa në prehër. Nexhmija më thotë: “Çfarë bën kështu?”. Enveri u çlirua disi dhe po i thosha që të pozicionohej pak. Unë zakonisht e kapja nga supet për ta vendosur nga duhej më mirë për dritën, por këtë herë s’më lanë ta prekja. Aty kuptova se ai ishte i sëmurë. Dhe nga krahu i djathtë s’të linte askush ta prekje. Sapo i bëra foton, iu bëra shenjë atyre që t’i hiqni fëmijët dhe i hoqën menjëherë. Në atë kohë i bëra edhe portretin e famshëm që u përdor shumë ato vite. Frika ishte se si do të dilnin këto filma. Ishin delikate solucionet e filmave me ngjyra, sepse s’të linin fare gabim. Kur doli e para, u kënaqa sepse doli mirë. Aty u çlirova. Të gjitha këto bëheshin në laboratorin e tyre se nuk të linin të shkoje në vend tjetër. Më pas i mori shoqëruesi i tij dhe iku në Paris që t’i stamponte. Atë fotografi (portretin) e përdorën kur vdiq, në 11 prill 1985. Kur Enver Hoxha u nda nga jeta, njerëz të familjes më erdhën në shtëpi dhe më thanë: “Ku i ke?”. U thashë që i kanë të gjitha vetë ata. Shkuam atje dhe zgjodhëm atë që ishte më mirë dhe doli gjitha faqja e parë te “Zëri i Popullit”. Fotoja e fundit është bërë nga unë. Edhe në album unë e kam cilësuar fotografia e fundit. Për pesë-gjashtë muaj ai vdiq.

Po ceremoninë e vdekjes e keni fotografuar?

Mos e pyet mo. Me t’u dhimbs njerëzit. Nga monumenti i Skënderbeut deri të Akademia e Arteve bënin një kolonë vajtimi.

Po Nexhmija bënte foto me ju?

Nuk merresha me të unë. Ishin dy oficerë që ishin dhe fotografë që e nxirrnin atë.