Transmetuar më 21-10-2017, 12:23

Ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, deklaroi prerë se nuk ka ndërmend që të largohet nga Shqipëria.

Duke folur në mbledhjen e sotme të Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, ku Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkon heqjen e imunitetit me qëllim arrestimin e tij, Tahiri tha “Nuk kam ndërmend të lëviz asnjë centimetër nga Shqipëria”.

Ai deklaroi se pret të përballet me këdo deri kur të dalë drejtësia dhe e vërteta në dritën e diellit.

“Sa i takon makinës sime, qëndrimit të Dritan Zaganit, akuzat e tij në publik, kam qenë shumë i qartë, as kam heshtur, as jam fshehur pas detyrës dhe as kam përdorur detyrën për të fshehur të vërtetën. Unë publikisht dhe zyrtarisht jam paraqitur në Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe kam kërkuar dhe atëherë të hetohem. Të gjitha çfarë thoni për raportin tim me Zaganin janë gënjeshtra. Nuk përballem dot me ata që ju sponsorizoni”, deklaroi Saimir Tahiri, duke iu drejtuar demokratëve.

Nëse është fajtor apo jo, Tahiri tha se është në pritje që këtë përgjigje ta japin institucionet, pasi fjalët e tij mund të mos mjaftojnë.

“Bëni durim dhe vetëm durim, do vij dita kur e vërteta do dalë në dritën e diellit, nuk do jetë dita e fitores sime përballë jush, por e fitores së të vërtetës”, deklaroi Tahiri.

Në replikë ndaj tij prokurori i Krimeve të Rënda, Besim Hajdarmataj, tha se organi i akuzës ka paraqitur kërkesën për heqjen e imunitetit dhe provat, por akuzoi deputetin Tahiri se donte që ta përfshinte Prokurorinë në debat politikë.

“Ne kemi bërë sjellje etike, për të marrë autorizimin e caktuar. Provat, janë marrë nga përgjimi nga dy njerëz pa pasur asnjë lloj ndikimi, nga autoritetet e tjera ku përmendin ish-ministrin e Brendshëm dhe ndihmën që ai u siguron dhe momente kur ata përmendin dhurata për të”, deklaroi prokurori.

“Aty flitet vetëm për ministrin e Brendshëm e asnjë deputet tjetër, as për deputetë të Vlorës, Tiranës, e asnjë tjetër. Ministri i Brendshëm qarkullon me të njëjtin automjet, që qarkullojnë edhe trafikantët”, tha ai.

Drejtuesi i Këshillit, Gramoz Ruçi kërkoi që prokurorët, i akuzuari bashkë me avokatin dhe mediat të largohen.

“Materialet të administrohen nga sekretaria e Kuvendit, komisioni do vijojë punën”, tha ai. Pas kësaj mbledhja po vijon me dyer të mbyllura, ku Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin do të dalë me vendim pak më vonë, nëse Saimir Tahiri do t’i hiqet imuniteti si deputet, duke i hapur kështu rrugë Prokurorisë për arrestimin, pas akuzave për trafik droge. /a.y/noa.al

“Imuniteti”, Tahiri: Nuk pranoj pranga politike në duar

Alibeaj: Nuk e donte imunitetin, pse ndërroi mendje? Avokati befason! Tahiri: Dua prova

“Imuniteti”, Avokati i Tahirit hedh poshtë akuzat e Prokurorisë: Ja pse nuk qëndrojnë

“Imuniteti”, avokati i Tahirit: Kërkesa e Prokurorisë e paligjshme, s’ka prova të lidhjes mes Habilajt

Sot vendimi për imunitetin, shihni si u prit Tahiri te Kryesia e Kuvendit

Imuniteti i Tahirit, nis mbledhja e Këshillit, prokurori: Kemi prova të reja