Transmetuar më 21-10-2017, 09:37

Policia e Vlorës ka referuar në Prokurori, materialet hetimore në ngarkim të vëllezërve Habilaj, për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale”.

Në vijim të mega-operacionit “Banda e Babicës”, ku u sekuestrua 4 ton kanabis sativa, armë gjahu, municion luftarak, mjet lundrues dhe u arrestuan dy persona, vijon operacioni për identifikimin dhe kapjen e pjesëtarëve të bandës së Babicës, gjetjen dhe sekuestrimin e lëndës narkotike që mund të jetë fshehur nga kjo bandë është në vijim.

Policia e Vlorës në sinkronizim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda ka vijuar kontrollet në disa objekte dhe prona në pronësi të vëllezërve Habilaj, për kapjen e pjestarëve të kësaj bande, por edhe sekuestrim të lëndës narkotike, pasi dyshohej se në këto objekte mund të kishte sasi të lëndës narkotike të fshehur.

Drejtori i Policisë së Vlorës, Gentjan Shehaj, në një dalje për mediat paraditen e së shtunës tha se po bashkëpunohet me Drejtorinë e Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave për evidentimin dhe bllokimin e llogarive bankare të këtij grupi kriminal.

Në lidhje me aktivitetin kriminal të këtij grupi bëhet e ditur se Drejtoria e Policisë Vlorë në datën 30 prill 2017 ka referuar në Prokurorinë e Krimeve të Rënda materialet për grupin kriminal të njohur si “Habilaj”, pas informacioneve të siguruara për aktivitetin kriminal në fushën e trafikimit të narkotikëve.

Gjithashtu, gjatë natës mes të premtes dhe të shtunës në vijim të operacionit dhe kontrolleve të ushtruara nga policia lokale Vlorë dhe FNSH Fier.

U kap një person në kërkim ndërkombëtar, Fredi Hoxhaj, 42 vjeç, banues në fshatin Rromës, bashkia Selenicë.

I arrestuari rezulton në kërkim ndërkombëtar nga, nga Gjykata e Catanzaros, Itali për veprat penale “Shfrytëzim prostitucioni” dhe “Pjesëmarrje në organizatë kriminale”.

Si dhe gjatë kontrolleve të ushtruara në akset rrugore dhe lokalet e natës, në një lokal nate u arrestua në flagrancë Musto Kapaj, 26 vjeç, banues në fshatin Gjormë të Vlorës, për veprën penale “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”, pasi ju gjet me vete një armë e ftohtë, thikë. /a.y/noa.al