Transmetuar më 20-10-2017, 20:36

Zëvendëskryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, z. Luan Rama, i ftuar në emisionin ‘Opinion’ në ‘News 24’, ka komentuar mbledhjen e së premtes të Këshillit të Mandateve dhe Rregullores, ku u diskutua mbi heqjen e imunitetit të deputetit të Partisë Socialiste, Sajmir Tahiri, për t’i hapur rrugë arrestimit të tij.

Sipas z. Rama, Kuvendi është përballë provës së parë pas ndryshimeve kushtetuese dhe pas miratimit të paketës në drejtësi për të shfaqur gjithë vendosmërinë e vet nëse është realisht për reformën në drejtësi, nëse është realisht për barazinë përpara ligjit të cilitdo personi të dyshuar apo të akuzuar nga organi i akuzës.

“Pra, Kuvendi është përballë provës së parë pas ndryshimeve kushtetuese dhe pas miratimit të paketës në drejtësi për të shfaqur gjithë vendosmërinë e vet nëse është realisht për reformën në drejtësi, nëse është realisht për barazinë përpara ligjit të cilitdo personi të dyshuar apo të akuzuar nga organi i akuzës.

Dhe nga kjo pikëpamje nuk ka asnjë dilemë që vendimmarrja ajo çka do të ndajë përfundimisht kush është pro reformës në drejtësi dhe kush nuk është pro saj”, shprehet z. Rama.

Numri dy i Lëvizjes Socialiste për Integrim shkon edhe më tej kur thotë se qëndrimet e ministrit të Brendshëm, dhe komentet e tij, ishin të tilla që i shkojnë përshtat juristëve, dhe jo postit që Fatmir Xhafaj ka.

Intervista:

Z. Rama a ishte një vendim i drejtë nga ana e z. Ruçi që e shtyu mbledhjen e Këshillit të Mandateve për ditën e shtunë në orën 10, edhe pse mbrojtja kërkoi të shtyhej për ditën e hënë, pra donte tre ditë kohë?

Nuk përbën ndonjë gjë të rëndësishme që do mbyllet sot apo do mbyllet nesër. Mendoj që investimi i Kuvendit në rastin konkret për të shqyrtuar një kërkesë nga Prokuroria, është një detyrim formal ligjor në kuptimin e gjithë kontekstit të vendimmarrjes që Kuvendi ka bërë edhe më herët dhe ajo çka është më e rëndësishmja që lidhet me tërësinë e paketës së ndryshimeve kushtetuese të vetë reformës në drejtësi.

Dikush mund të thotë çfarë lidhje ka midis procedurës së sotme dhe reformës në drejtësi. Por, të gjithë kemi në memorie edhe retorikën, debatet, polemikat shpeshherë konfliktuale që janë shfaqur në Kuvend për domosdoshmërinë e reformës në drejtësi.

Madje absurdi ka shkuar deri atje sa megjithëse u votua me votat unanime të të gjithë deputetëve të Kuvendit, dikush tentoi me vrap të merret autorësinë, e bëmë ne reformën që ta shihni ju, do ta shihni ju, s’do ta shihni ju, e të tjera gjëra të kësaj natyre, që tashmë janë pa vend.

Pra, Kuvendi është përballë provës së parë pas ndryshimeve kushtetuese dhe pas miratimit të paketës në drejtësi për të shfaqur gjithë vendosmërinë e vet nëse është realisht për reformën në drejtësi, nëse është realisht për barazinë përpara ligjit të cilitdo personi të dyshuar apo të akuzuar nga organi i akuzës.

Dhe nga kjo pikëpamje nuk ka asnjë dilemë që vendimmarrja ajo çka do të ndajë përfundimisht kush është pro reformës në drejtësi dhe kush nuk është pro saj.

Ndërkohë në debatet politike që kanë shpërthyer është përfshirë sot edhe Prokuroria. Z. Xhafa, ministri i Brendshëm, tha që segmente të Prokurorisë, mesa duket, po vetpërdoren politikisht…

Po, e kam dëgjuar edhe prononcimin e z. Xhafa. Madje kam vënë re atë që ai kishte merak ta veçonte, që foli si jurist dhe si qytetar, jo si ministër i Brendshëm, çka në fakt është thjesht një truk për të ndarë atë çfarë ai kishte në plan të shprehte me pozicionin e vet.

Gjithsesi, unë gjykoj që çdo prononcim, çdo gjykim për të bërë edhe prokurorin, edhe gjykatësin, në këtë fazë në të cilën gjendet procedura e shqyrtimit të kërkesës së Prokurorisë, është jashtë kontekstit, është e nxituar dhe e gabuar.

Cilat janë pritshmëritë tuaja për ditën e nesërme z. Rama? Si e parashikoni se do të shkojë?

Nuk investohem fare. Nuk e vras fare mendjen se çfarë do të ndodhë nesër, apo çfarë do të ndodhë pasnesër, sepse problemi në Shqipëri nuk është çështje procedurale, problemi në Shqipëri është raporti, evident tashmë, alarmant dhe skandaloz i politikës, i qeverisë me krimin apo i krimit me qeverinë, ku kemi jo thjesht interferenca, por zhdukje të të gjithë kufijve që ndajnë përgjegjësinë në qeverisje me veprimtarinë kriminale.

Dhe këtu nuk kam parasysh vetëm rastin, por kam parasysh një mori shfaqjesh në vijueshmëri që fillojnë, që e kanë bazën dhe nga ku ushqehen në fakt tek krimi elektoral, tek proceset zgjedhore, në mënyrë të veçantë tek procesi i fundit zgjedhor i kriminalizuar, tek procesi zgjedhor i votës së blerë përmes parave të krimit, i votës së trafikuar përmes terrorit të grupeve kriminale dhe i mosveprimit skandaloz të strukturave të shtetit për ta parandaluar këtë fenomen, këtë dukuri, që në fakt ne e kemi bërë të njohur dhe e kemi denoncuar shumë më herët sesa të niste procesi zgjedhor.

Të gjitha këto që vijnë më pas janë derivate të një mozaiku kriminal, që bazamentin e vet e ka tek krimi elektoral. Kështu që, në këtë fokus, apo në këtë mënyrë të të parit të gjithë fenomenit kriminal që shfaqet në Shqipëri, që mbërriti kulmin tek akti më skandaloz që unë e kam thënë edhe herë të tjera dhe që nuk hezitoj ta përsëris, që është i pashembullt, fenomen tipik shqiptar, nuk gjen besoj në praktikat parlamentare të asnjë vendi demokratik, në Europë ose më tej, që një Kuvend të miratojë një ligj për të dekriminalizuar vetveten, a thua se këta kriminelët në Kuvend hynë në mënyrë të trafikuar siç shkon në mënyrë të trafikuar droga apo ndoshta edhe produkte të tjera kriminale në Itali apo në vende të tjera të Europës, dhe askush nuk mban përgjegjësi.

Pra, mungesa e mbajtjes së përgjegjësisë, e lidhur me pandëshkueshmërinë që nuk është thjesht vetëm çështje e gjykatave apo e organeve të drejtësisë, pandëshkueshmëria është kthyer në një institucion edhe brenda qeverisë për fat keq, sjell pastaj të gjithë këtë tablo kriminale.

Se çfarë ndodh pastaj? Ndodh që largohen nga puna, shkarkohen nga detyra një mori drejtuesish të policisë nga 12 drejtorë të policisë së qarqeve para disa muajsh u shkarkuan 12 drejtorë. Dje apo pardje pamë që shkarkohet e gjithë hallka drejtuese e gjithë zinxhiri komandues e strukturës së policisë në Elbasan.

Por ai që i ka emëruar këta nuk mban përgjegjësi. Pra, fajtori është vetëm ai që është emëruar ndërkohë që përgjegjësia për mendimin tim duhet t’i shkojë tek cilido titullarë institucioni që me veprimet apo mos veprimet e veta është bërë jo vetëm frymëzues apo motivues për të emëruar njerëz të paaftë dhe të inkriminuar në rastin më të keq, brenda radhëve të policisë dhe që nuk mban askush përgjegjësi.

Nuk mban përgjegjësi kryeministri që mburret me strukturën e policisë sepse thotë kemi krijuar strukturën model dhe kjo është policia që duam. Na del që policia që duam në fakt është një polici me një pjesë të konsiderueshme strukturave të saj të inkriminuara, të vëna në shërbim të rrjetit të trafikut të lëndëve narkotike por jo vetëm kaq.

Shkon më tej problemi duke sjellë në vëmendje shqetësimin që unë e kam bërë prezent të paktën prej gati 2 muajsh e këtej, çështjen e mosfunskionimit të sistemit të monitorimin të hapësirës detare të Republikës së Shqipërisë. Nuk punon dhe e them me shumë përgjegjësi dhe seriozitet.

Natyrisht e them edhe me keqardhje që më shumë se gjysma e sistemit të radarëve që kanë forcat detare të Republikës së Shqipërisë, që janë në përbërje të forcave tona të armatosura të Shqipërisë anëtare të NATO-s, nuk kanë qenë në punë dhe në funksion operacionale për gati 3 vjet. Koincidon mosfunksionimi i tyre në gjithë këtë kohë të kultivimit masiv të drogës në Shqipëri, në mënyrë të veçantë në vitin 2015 dhe gjatë vitit 2016.

Por nuk është vetëm sistemi i radarëve të ushtrisë që nuk punojnë, por as sistemi i radarëve të policisë së shtetit. Pra, kemi të bëjmë me një mosveprim skandaloz që jo në pak raste është i qëllimshëm për të favorizuar veprimtarinë kriminale sepse nëse në rastin e radarëve të ushtrisë ato janë instaluar për të monitoruar dhe kontrolluar hapësirën detare të Republikës së Shqipërisë, sistemi i radarëve të policisë është më i specifikuar dhe për kontrollin e ngushticave, gjireve, xhepave, të grykëderdhjeve të lumenjve etj.

Pikërisht kjo në funksion të bllokimit të luftës kundër trafikut të drogës, të klandestinëve apo të trafikut të armëve, të elementëve në rrezikshmërinë që mund të shërbejnë potencialisht edhe si mundësi për akte terroriste në vendet fqinje apo edhe tek ne. Pra, nuk punojnë radarët, nuk punon policia, nuk punojnë organet e tjera të sigurisë, nuk harmonizohet bashkëveprimi i këtyre dhe në kryerje të gjithë këtij sistemi, në fakt ka një njeri përgjegjës që është kryeministri i vendit, i cili është përgjegjës dhe për bashkërendimin, koordinimin, ndërveprueshmërinë e institucioneve të sigurisë në vend për të drejtuar të gjithë zbatimin e ligjit dhe në këtë fushë.

Pra, tabloja kriminale dhe pamja e realitetit e veprimtarisë kriminale në Shqipëri është shumë më e gjerë se sa ajo çfarë na paraqet vetëm kërkesa e fundit e organeve të akuzës, kërkesa e prokurorisë. Prandaj, ndëshkimi i kësaj veprimtarie duhet të jetë padyshim i vendosur në çdo qelizë ku është mbajtur veprimtaria kriminale.

Dikush mund të thotë se çfarë pune ka radari? Por tani po të lexojmë ato çfarë ofron publikimi i dosjeve të zbardhura nga përgjimet e kryera nga strukturat e antikrimit në Itali, del që ata që janë përgjuar, personat e akuzuar për veprimtarinë kriminale thonë që kemi njerëzit tanë që kontrollojnë radarët.

Agjencitë e specializuara brenda vendit kanë informacione dhe këtë e them me siguri që brenda strukturave të shërbimit të monitorimit të hapësirës detare, ka njerëz të punësuar që janë lidhje e trafikantëve. Brenda strukturave të policisë ka po ashtu ku dhe sot e thanë prokurorët në seancën e Komisionit të Kuvendit, thanë që ne nuk mund të deklarojmë emra sepse kemi punonjës të policisë që janë në përgjim që dëshmohet që janë të implikuar në veprimtarinë kriminale.

Pra, kemi të bëjmë me një mozaik kriminal, ndëshkimi i të cilit është imperaktiv e cila është detyra mediate dhe përballë kësaj detyre nuk besoj që ka praktikë procedurë formale parlamentare që mund të shërbejë për të mbrojtur cilindo pavarësisht nuancave komike sot apo tragjike dje të shfaqjes në raport me publikun.

Sjell tek ju në vëmendjen e publikut një pjesë të këtij mozaiku që e kanë ndërtuar, veprimtaria kriminale dhe mosveprimi kriminal i qeverisë për ta parandaluar dhe për ta ndëshkuar.

E gjithë kjo natyrisht që i lë kujtdo mundësinë që të krijojë një mendim, një bindje për si është realiteti. A mendoni se do të ketë publiku, sot, nesër një provë kritike që do ta bëjë të pashmangshme dilemën për atë që është duke ndodhur?

 

Nuk kemi ndarje të opinionit. Kam përshtypjen askush nuk ka bërë një test të opinionit publik, por kam përshtypjen që, ma do mendja shumica e opinionit publik është për të ndëshkuar veprimtarinë kriminale dhe për të ndëshkuar me forcën e ligjit cilindo që është i implikuar në veprimtari të jashtëligjshme.

Sot patëm dy pozicionime të deputetëve sipas përkatësive partiake dhe ky në vlerësimin tim është një gabim sepse nuk ka vend për interpretim. Ministri mund të shkruajë çfarë të dojë sepse prova më e madhe e dështimit të qeverisë dhe implikimit të qeverisë në veprimtari kriminale është vetë Kryeministri.

Kështu që, nuk ka si të thotë Kryeministri që ka prova. Problemi është që nuk është ai institucioni siç thonë, ka apo nuk ka prova. Në një shtet të së drejtës, institucionet dhe pushtetet janë të ndara. Jemi përballë këtij fakti që organi i akuzës ka ngritur një akuzë mbi bazën e provave sipas vlerësimit që bën organi i akuzës, të arsyeshme, bindëse apo ku di unë se çfarë, dhe kërkon procedurialisht autorizimin për të ecur më tej me zbatimin e ligjit.

Është gjykata që do të çmojë ka prova bindëse organi i akuzës apo nuk ka. 

Besoni që, kur të vijë momenti që prokuroria t’i nxjerrë të gjitha ato që ka, sepse për momentin thotë që ti themi të gjitha ato që kemi, besoni që gjithçka do të jetë e qartë që ne do të kemi një hetim ezaurues ose të paktën bindës që këtu ka një gjë shumë serioze… 

Askush nuk është i interesuar të penalizohet dhe aq më pak të dënohet dikush pa fakte, pa prova dhe pa qenë fajtor. Por, nuk e ndan dot politika këtë gjë. Nuk e ndan dot Kryeministri ka apo nuk ka prova, ka apo nuk ka faj. Nëse do të duhej ta ndante Kryeministri, ai duhet të sqarojë qytetarët se përse e shkarkoi nga detyra Ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri? Cilat ishin shkaqet?

 E ka bërë këtë sqarim kryeministri… 

Nuk po flas për truk, flas për sqarim mbi shkaqet reale që e shtynë Kryeministrin të bëj atë zgjedhje që bëri, e para. Dhe e dyta, pavarësisht aspektit njerëzor dhe raportit me individin, me qytetarin Saimir Tahiri, i cili prezumohet sipas ligjit i pafajshëm derisa do të ketë një vendim gjykate nëse do të kemi një procedurë deri në gjykatë. Ko është një çështje tjetër, por ta marrim çështjen edhe në aspektin moral dhe politik, siç ai vetë është shprehur ku ndjen përgjegjësinë për atë çfarë ka ndodhur.

Ministri i Brendshëm i një vendi anëtar të NATO, rezulton sipas përgjimit të bisedave telefonike të një grupi kriminal, pjesë e suportit të tyre, pjesë e financimit të tyre, pjesë e lojës që bëjnë ata. Deri ku është e vërtetë dhe sa është e vërtetë kjo gjë, këtë e çmon gjykata, nuk e çmon askush, as unë dhe asnjë individ tjetër.

Por le ta lëmë gjykatën, le ti lëmë organet e drejtësisë dhe t’iu krijojmë atyre të gjitha të zbatojnë ligjin dhe të kryejnë detyrë. Vetëm kështu ne japim mesazhin se ky shtet më në fund ka kuptuar që, pushtetet e ndara duhen respektuar në funksion të ligjit dhe mbi ta nuk mundet të ketë asnjë lloj presioni apo sjellje sugjestive për ti vënë nën pushtetin e lijos politike që bëjnë aktorët politik pavarësisht se çfarë emri kanë, Kryeministër, ministër apo zv/ministër. 

Pra ju e quani gabim në mbledhjen e Këshillit të Mandateve pozicionimin në dy krahë opozitë-mazhorancë për të vendosur për imunitetin? 

E para nuk thashë këtë gjë, sepse nuk janë pozicionuar palët se çfarë do të bëjnë, janë pozicionuar në kuptimin e asaj çfarë kanë perceptuar nga raporti që ka paraqitur prokuroria. Natyrisht, deputetët janë të lirë të thonë çfarë të duan, e kanë në dorë PS, mazhoranca ka numrat e votave që ta mbrojnë z. Tahiri, pra numrin e votave të mos e votojë autorizimin për ta vazhduar më tej prokuroria procedurën.

Natyrisht kjo është në integritetin e vendimmarrjes së tyre. Nuk kam asnjë paragjykim, apo nuk bëj dot asnjë vlerësim paraprak në lidhje me këtë gjë.

Ajo çfarë dua të them është që, Kuvendi duhet të qëndrojë në lartësinë e angazhimeve që ka marrë, për të bërë efektive reformën në drejtësi ndaj cilitdo. Këtu Kuvendi është përpara provës së dinjitetit dhe integritetit të drejtë në vendimmarrje.

Unë personalisht, madje do t’iu sugjeroja deputetëve të PS le ta marrin në mbrojtje dhe le të mos e votojnë heqjen e imunitetit të z. Tahiri, le të mos votojnë autorizimin për të proceduar më tej Prokuroria nëse ata janë të bindur se kështu i bëhet më mirë vendit, nëse kështu i bëhet më mirë zbatimit të ligjit apo se kështu i bëhet dhe vetë më mirë Partisë Socialiste.