Transmetuar më 20-10-2017, 19:34

Për Lëvizjes Socialiste për Integrim, vendimi për të shtyrë ditën e nesërme shqyrtimin e kërkesës së prokurorisë për heqjen e mandatit të deputetit Saimir Tahiri, është treguesi i shkallës së inkriminimit që po përjeton populli.

Kryetarja Monika Kryemadhi, tha në një konferencë për mediat se “Kryeministri dhe mazhoranca humbi sot mundësinë e fundit për të treguar vullnet që drejtësia të bëjë punën e saj”.

Për Kryemadhin, nuk ka rëndësi vendimi që Këshilli do të marrë ditën e nesërme, për aq kohë sa “të gjithë shqiptarët u bënë dëshmitarë të qëndrimit të paprecedent duke penguar zbardhjen e një veprimtarie kriminale edhe me dimension ndërkombëtar”.

Kryetarja e LSI-së tha se qëndrimi në detyrë i Kryeministrit dhe drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, përbëjnë garanci për trafikantët.

“Ky kryeministër dhe Haki Çako vazhdojnë akoma të jenë në detyrë si garantë të trafikut të drogës pasi nga dje dhe sot janë kapur 3.5 ton drogë me vlerën që kalon 35 milion euro.

Çdo ditë e vazhdimit të tyre në krye të qeverisë e policisë është një ditë e bardhë për trafikantët dhe ditë e zezë për shqiptarët”, tha Kryemadhi.

Ajo e mbylli me një apel ku tha se “ju bëj thirrje maxhorancës dhe kryeministrit të heqin dorë nga sulmet, presionet dhe shantazhet politike ndaj drejtësisë”. /k.k/noa.al/