Transmetuar më 20-10-2017, 18:29

Presidenti Ilir Meta mori pjesë në Konferencën Shkencore Ndërkombëtare, të organizuar nga Fakulteti i Drejtësisë pasditen e sotme, me rastin e 60-vjetorit të themelimit të Universitetit të Tiranës.

Ai deklaroi se sa herë që ligjvënësi shqiptar, ekzekutivi apo dhe sistemi gjyqësor në vend, kanë patur nevojë për një mendim të specializuar, gjithmonë dera e Fakultetit të Drejtësisë ka qenë e hapur, dhe ky fakultet ka ofruar mendim akademik.

“Vlerësoj se angazhimi juaj do të vijojë të jetë i çmuar edhe në këtë fazë deçizive të implementimit konkret të Reformës në Drejtësi, pasi suksesi i saj është përcaktues për të ardhmen europiane të vendit”, tha kreu i shtetit.

Presidenti shtoi se Fakulteti i Drejtësisë, ka rritur ndjeshëm besimin ndaj tij tek institucionet vendase, por dhe te partnerët tanë, duke zhvilluar një traditë bashkëpunimi me shumë universitete të njohura në arenën ndërkombëtare.

“Pritshmëria e shoqërisë në lidhje me transformimin e thellë të sistemit të drejtësisë, e motivoi Kuvendin e Shqipërisë të ndërmerrte iniciativën për reformimin e tij në thellësi.

Pikërisht kjo sfidë kërkonte angazhimin e ekspertëve më të mirë të ligjit, vendas e ndërkombëtar, të cilët do të punonin krah për krah me njëri-tjetrin”, u shpreh Meta.

Sipas tij, pedagogët e Fakultetit të Drejtësisë kanë dhënë ekspertizën e tyre në të gjithë korpusin e ndryshimeve ligjore dhe kontributi i tyre është vlerësuar nga Kuvendi, por dhe nga Partnerët Ndërkombëtarë.

Në vijim tha se, legjislacioni i miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë, parashikon pjesëmarrjen e detyrueshme të përfaqësuesve të trupës akademike, në përbërje të organeve më të larta të sistemit të drejtësisë dhe konkretisht në Këshillin e Lartë të Gjyqësorit dhe atë të Prokurorisë. /a.y/noa.al