Transmetuar më 20-10-2017, 17:00

Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi, në cilësinë e drejtuesit të mbledhjes së Këshillit për Mandatet dhe Rregulloren në Kuvend, ku kërkohet heqja e mandatit të deputetit për Saimir Tahirin, i akuzuar për trafik droge, i ka dalë në krahë ligjvënësit socialist.

Ndërsa avokati mbrojtës i Tahirit, Artan Hajdari ka kërkuar tre ditë kohë, deri të hënën, që të përgatisë mbrojtjen, Ruçi i ka dhënë të drejtë.

Ai ka thënë në mbledhjen e cila përfundoi rreth orës 16.50 të pasdites së sotme, se është e domosdoshme marrja në konsideratë e kërkesës.

“Keni kohë deri nesër, nesër në orën 10.00 mblidhet këshilli”, u shpreh i prerë Gramoz Ruçi.

Nga ana e tij deputeti demokrat Enlekejd Alibeaj deklaroi se përfaqësuesit e opozitës në Këshill kërkojnë që seanca të vazhdojë.

Por Ruçi tha se nuk po merret një vendim në kundërshtim me procedurat e parlamentit, duke nënvizuar se kur fillon dhe kur mbaron mbledhja e përcakton kryetari i komisionit.

Në këtë linjë sqaroi se në asnjë rast të ngjashëm nuk është mbyllur me një mbledhje Këshilli i Rregullores.

“Ka qenë vetëm një rast, rasti kur deputeti ishte i ndaluar. Për Lulzim Bashën ka zgjatur 60 ditë Këshilli i Rregullores Imunitetit dhe Mandatit. Këtij këshilli i duhet kohë. Nesër në orën 10.00 jeni të ftuar të vini këtu”, tha i prerë kreu i Kuvendit.

Demokrati Alibeaj kërkoi që të hidhet në votim kërkesa, duke e cilësuar vendimmarrjen e Ruçit si të turpshme.

“Kjo është ta pranosh fajin, pa filluar”, deklaroi deputeti demokrat.

Avokati i Tahirit, Artan Hajdari, deklaroi se ai dhe klienti i tij ndodhen në pamundësi reale për të përgatitur një mbrojtje sa më cilësore.

“Kërkojmë kohën e arsyeshme, për faktin se prokuroria mbërrin me pretendime të tjera shtesë dhe na duhet një mbrojtje që ti shërbejë jo vetëm panelit por edhe institucioneve të drejtësisë. E kuptoj rëndësinë e çështjes, por një mbrojtje e arsyeshme kërkon një afat kohor prej tre ditësh”, u shpreh avokati i Tahirit.

Ai shtoi se ditën e hënë do të jenë gati që të paraqesin mbrojtjen të shkruar dhe të arsyetuar.

Deputeti demokrat Enkelejd Alibeaj e ironizoi kërkesën, duke thënë “Të jetë vallë taktikë për të shtyrë procedimin? Kjo nuk ju bën nder juve dhe as klientit tuaj. Të vazhdojmë një orë e më parë, boll u kemi dhënë kohë shkelësve të ligjit të prishin provat”.

Nga ana e tij socialisti Bledi Çuçi e cilësoi gjithë procesin si farsë, por shtoi se janë për të respektuar procedurat parlamentare dhe të drejtat përballë ligjit.

“Ky është rasti i parë që veprohet me këtë shpejtësi, a jemi brenda afateve procedurale? Pa diskutim jemi në ditën më të shpejtë të afatit”, u shpreh Çuçi, duke përkrahur kërkesën e avokatit të Tahirit. /a.y/noa.al