Transmetuar më 20-10-2017, 15:50

Menjëherë pas përfundimit të mbledhjes me dyer të hapura të Këshillit për Mandatet dhe Rregulloren në Kuvend, ku u diskutua kërkesa e Prokurorisë për heqjen e mandatit të deputetit Saimir Tahiri, dhe më tej arrestimi i tij, vjen një deklaratë e fortë.

Gazetari Artan Hoxha hedh dyshime mbi atë që mund të ndodhë më tej dhe bën një krahasim me hetimet për shpërthimin në Gërdec, ku pak kohë më vonë u raportua vdekja e Kosta Trebickës.

Postimi i Artan Hoxhës në Facebook

Hera e fundit që kam parë kaq shumë prokurorë nga Tropoja bashke në hetimin e një çështje, është vrasja (më falni vetëvrasja) e Kosta Trebickës…

Të gjithë e dimë si përfundoi ai hetim, u provua që Kostës i doli zagari përpara dhe atij iu morën mend dhe vdiq.

Prandaj në këtë vend, me këta prokurorë nuk ka për tu zbardhur kurrë Gërdeci, 21 Janari, vrasja e Artan Santos, e Skerdilajd Konomit, Fatmir Xhindit, grabitja e bankës së Shqipërisë, kanabizimi i vendit, trafikimi i narkotikëve me avionë, anije, gomone, mushka, çështja CEZ-DIA, etj…

Prandaj në këtë vend Rama, Meta, Berisha, Basha, Veliaj etj, tallin… me shqiptarët dhe nuk u hyn gjemb në këmbë, ndërsa qytetarët e thjeshtë të këtij vendi shkojnë në burg dhe vrasin veten pse nuk kanë paguar 30 mijë lekë të vjetra për energjinë elektrike apo pse kapen me një gram kanabis…

Prandaj politikanë bëni qejf sa të keni këta prokurorë dhe shefin e tyre Tik Llalla,…

mos i gëzofshi paratë që i keni grabitur këtij populli…

Nuk e kam as me krahinën e origjinës së prokurorëve se kam shumë miq aty, por me përdorimin politik të tyre në një çështje shumë serioze. Nëse fenomeni i kanabizimit të vendit në vitin 2016 hetohet seriozisht (jo nga ky soj prokurorësh dhe jo me këto lloj akuzash) atëherë gjurmët të çojnë shumë lartë, po lart fareeeee…. /a.y/noa.al