Transmetuar më 20-10-2017, 13:06

Specialistët e Komisariatit të Policisë Nr.3 në kryeqytet kanë bërë të mundur dokumentimin e ngjarjes së ndodhur dy ditë më parë, rreth orës 20:00, në Rrugën “Mujo Ulqinaku”, ku ka pasur të shtëna me armë zjarri dhe në cilësinë e provave materiale janë sekuestruar dy gëzhoja të kalibrit 7.62 mm si ato të pistoletës TT. 

Sipas policisë, nga hetimet e kryera është arritur të mësohet se konflikti ka ndodhur midis tre shtetasve dhe arsye e këtij konflikti ka qenë një vendparkimi.

Falë punës operative-hetimore dhe procedurale të kryer është bërë i mundur identifikimi i personave të përfshirë në këtë konflikt dhe më pas arrestimi i Ardit Isufaj, i njohur si "Doraci", 28 vjeç, dhe është shpallur në kërkim shtetasi F. Gremi, i njohur si “Lori”, 36 vjeç, dhe ka nisur procedimi ndaj shtetasit M. P., 68 vjeç, të tre banues në Tiranë.

Shtetasi M. P, ka parkuar automjetin e tij në afërsi të shkallës së pallatit ku banon shtetasi F. Gremi, ku ky i fundit është afruar dhe ka filluar të debatojë me M.P, më pas është afruar edhe Ardit Isufaj.

Pas debatit Isufaj dhe Gremi kanë kanosur shtetasin M. P dhe kanë qëlluar me armë zjarri në ajër, e më pas janë larguar me shpejtësi nga vendparkimi.

Materialet proceduriale iu kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprat penale “Kanosja”, “Prishja e qetësisë publike”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit” dhe “Moskallëzimi i krimit”. /b.l/noa.al/