Transmetuar më 20-10-2017, 11:55

Përfaqësuesi i Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Besim Hajdarmataj në mbledhjen e mesditës së sotme të Këshillit të Mandateve, Rregullores dhe Imunitetit, ku kërkohet heqja e imunitetit dhe më tej arrestimi i deputetit Saimir Tahiri, bëri një panoramë se si nisën hetimet, pas dyshimeve se ish-ministri ishte i lidhur me grupin e “Habilajve”.

Ai sqaroi se është kërkuar autorizim për arrestimin dhe heqjen e imunitetit të Tahirit dhe për kontrollin e banesave dhe objekteve në pronësi të tij.

Më tej tha se në këto ditë janë shkëmbyer dokumente me autoritetet italiane, ndërsa tha se priten akte të tjera nga autoritetet e drejtësisë italiane.

Hajdarmataj deklaroi se në këto kushte kërkohet arrestimi i deputetit dhe ushtrimi i kontrollit të banesave në dispozicion dhe në pronësi të tij.

Ky sqarim i tij u bë pasi deputeti socialist Ulsi Manja e ngacmoi se pse po bëhet kjo kërkesë.

Po ashtu Hajdarmataj nënvizoi se kërkohet që Prokuroria të veprojë duke respektuar të gjitha procedurat ligjore.

Demokrati Enkelejd Alibeaj e pyeti nëse emri i Tahirit është regjistruar në procedim penal.

Prokurori sqaroi se është regjistruar një procedim penal në 18 tetor, referuar të dhënave të bëra publike dhe më tej është bërë kërkesa në mënyrë zyrtare për gjithë personat e përfshirë në aktivitetin kriminal të trafikut nga Shqipëria në Itali, mes tyre dhe emri i Saimir Tahirit.

Hajdarmataj citoi edhe akuzat ndaj ish-ministrit të Brendshëm, “Trafikut të narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, në formën e posaçme të grupit të strukturuar kriminal dhe “Korrupsionit pasiv të zyrtarë të lartë shtetërore dhe të zgjedhurve vendorë”. /a.y/noa.al