Transmetuar më 16-10-2017, 19:34

Policia greke thotë se ka asgjesuar një grup kriminal që sillte nga Amerika Latine sasi të konsiderueshme kokaine, me qëllim që t’i trafikonte në tregun grek.

Gjatë operacioneve në Larisa dhe Athinë janë arrestuar një 47 vjeçar grek dhe tre shtetas shqiptarë të moshës 29, 30 dhe 49 vjeç.

Gjithashtu është identifikuar një tjetër shtetas shqiptar si bashkëpunëtor i tyre, që po kërkohet nga policia.

Sipas komunikatës zyrtare, autoritetet greke u njoftuan nga homologët gjermanë se në Laipcig ishte diktuar në pikën e tranzitit një pako postare e dërguar nga Kolumbia drejt Greqisë.

Brenda pakos ishte një makineri e rëndë, në pjesët e së cilës ishte fshehur një sasi e madhe kokaine. Si marrës i pakos në Greqi figuronte një firmë tregtare në qytetin e Larisas.

Aty u arrestua 47 vjeçari grek në kohën që po merrte në dorëzim pakon, ndërsa paralelisht u arrestuan edhe tre bashkëpunëtorët e tjerë.

Gjatë kontrolleve të policisë në banesat, magazinat ndhe automjetet e të arrestuarve u gjetën dhe  u sekuestruan: 10,5 kg kokainë, një pistoletë dhe 9 fishekë, një shumë parash prej 3.250 eurosh, një presë për ngjeshjen e drogës, një peshore elektronike dhe 10 telefona celularë.

Autoritetet vlerësojnë se fitimi i grupit kriminal nga shitja e gjithë sasisë së kokainës do të ishte 500.000 euro.

Pas arrestimit, të katër ata janë dërguar në prokurorinë e Athinës. /k.k/noa.al/