Transmetuar më 15-10-2017, 18:29

Pyetja që shtrohet është, a duhet të ngurrojë më Genti që të dalë nga shtëpia? Përkraheni dhe ju, që të jetojë jetën e të shijojë rininë!

Ajo që i ndodhi këtij djaloshi 20-vjeçar, rreth dy vjet më parë në qytetin e Pogradecit, ia ndryshoi tërësisht jetën, por jo për mirë.

Genti, po vuan me një makth të jashtëzakonshëm, lëndimet e rënda që mori pas një shpërthimi të bombolës së gazit. Me shenja nga djegiet, Genti tani është mbyllur brenda dhe thotë se s’mund të dalë.

Nëna e tij, Liria, rrëfeu tek “Ka një mesazh për ty” në Tv Klan, me një pikëllim të thellë për të birin, se ai nuk po e jeton rininë siç do të donte.

Ishte një rastësi fatkeqe: Para dy vitesh, Genti u gjend në vendin e gabuar, në kohën e gabuar. Ai ishte ulur në një lokal në Pogradec, kur ndodhi shpërthimi.

Jo vetëm djegie nëpër trup. Pas incidentit, Genti nuk kryen dot më as nevojat e tij personale. I vjen turp të dalë, ndaj mamaja e tij e thirri tek “Ka një mesazh për ty” për t’i dhënë mes dhembjes mesazhin e saj.

“Genti, mami ka ardhur të të them që, sado hapa të bësh, mami do të të ndjekë. Ndaj, ti duhet të çlirohesh nga stresi, të dalësh me shokët dhe vazhdosh jetën tënde.” Por Genti, fjalëpakë, i tregoi hapur Ardit Gjebresë çfarë ndjen çdo ditë, kur rri mbyllur dhe i izoluar nga bota. I pyetur përse nuk kërkon ta ndryshojë jetën e tij, Genti u përgjigj:

“Nuk jam mësuar me këtë jetesë. Fare. Nuk dal. Më duket vetja sikur jam mbyllur brenda një trupi tjetër. Shikoj fotot e mëparshme dhe më duket sikur ai Genti i vjetër nuk është më.”

 “Nuk bëj dot asgjë, edhe nëse dal. Duart nuk i mbyll dot. Më vjen turp.”

Producenti Ardit Gjebrea i dha Gentit një mesazh prekës, për ta bërë të kuptonte se njerëzit janë gjithçka përveç pamjes së jashtme.

“Kush të do, të do. Nuk e bën pamja fizike njeriun, më beso. Ne kemi pak minuta bashkë, mua nuk më bën më përshtypje, u mësova me ty dhe nëse ti do kesh një shpirt të bukur, ashtu siç jam i bindur që e ke, ti je njeriu më i bukur i botës! Ka shumë njerëz që janë shumë të bukur, por nuk mund të qëndrosh as edhe një minutë me ta, për çfarë kanë në shpirtin e tyre. Jeta është e bukur, do kesh kohë ta jetosh dhe ta shijosh. Nëse nuk do ta bësh për vete, bëje për mamanë, që po vuan shumë”.

Genti u përlot teksa Gjebrea i fliste, e po kështu edhe zonja Lirie. Asnjëri s’mundi të thoshte asgjë më shumë, përveçse Genti premtoi se do të dilte e ta shijonte jetën, së paku për hir të mamasë.