Transmetuar më 15-10-2017, 18:05

Një aksident me përplasje makinash në seri ndodhi para disa minutash në qendër të qytetit të Vlorës, raporton noa.al.

Aksidenti ndodhi në rrugën Transballkanike dhe në të u përfshinë katër automjete ku tre ishin të parkuara.

Pamjet në foto që shikoni në këtë raport tregojnë momentet menjëherë pas aksidentit.

Mësohet se një person është plagosur në gjendje kritike në këtë aksident.

Dyshimet e para janë se aksidenti pranë një prej rrethrrotullimeve në rrugën Transballkanike, pati si shkak lëvizjen me shpejtësi të madhe të automjetit tip BMW me targa AA 755 NE, që ka goditur tre automjete të tjera, dy Benz Mercedes dhe një tjetër automjet tip Renault. Që të tre automjetet ishin të parkuara në zonë.

Drejtuesi i automjetit tip BMW ka humbur kontrollin shumë pranë rrethrrotullimit, duke goditur bordurën e saj dhe duke dalë nga rruga e duke goditur fillimisht dy automjetet tip Benz dhe më pas atë Renault. Në fund, ka përfunduar përmbys.

Drejtuesi i automjetit i cili ishte i vetëm në makinë, është dërguar në spitalin rajonal të Vlorës, ku paraprakisht mësohet se gjendja e tij ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Në vendngjarje ka mbërritur edhe policia e cila ka nisur hetimet për shkaqet e aksidentit.