Transmetuar më 15-10-2017, 15:23

Tre thasë me kanabis sativa me peshë 67.5 kg të cilët do transportoheshin në Mal të Zi janë sekuestruar nga policia e Shkodrës në bashkëpunim me Policinë Kufitare të Malit të Zi.

Shërbimet e  Policisë Kufitare gjatë patrullimit në kufirin jeshil, në orët e para të mëngjesit kanë konstatuar tre shtetas të cilët po lëviznin në drejtim të kufirit me Malin e Zi dhe secili po transportonte nga një thes ku dyshohej se kishte lëndë narkotike.

Menjëherë kanë njoftuar grupin Operacional të DVKM Shkodër, Policinë e Malësisë së Madhe si dhe Policinë Kufitare të Malit të Zi.

Tre shtetasit që transportonin lëndën narkotike porsa kanë parë se po ndiqeshin nga Policia, në vendin e quajtur Rapsh, Malësi e Madhe, kanë fshehur thasët me lëndë narkotike në shkurre dhe duke shfrytëzuar kushtet e errësirës dhe terrenin e thyer malor janë larguar në thellësi të kufirit me Malin e Zi.

Policia Kufitare gjatë krehjes së zonës ka gjetur dhe sekuestruar 3 thasë ku brenda të cilëve kishte 60 pako me peshë 67.5 kg lëndë narkotike të dyshuar si kanabis sativa.

Ndërkohë policia e Shkodrës dhe ajo e Malit të Zi po bëjnë krehjen e zonës për të bërë të mundur identifikimin dhe kapjen e autorëve të dyshuar dhe vënien e tyre para përgjegjësisë penale.

Materialet i kaluan Prokurorisë për Krimet e Rënda Tiranë, për veprën penale të  “Trafikim i narkotikëve kryer në bashkëpunim i mbetur në tentativë”. /b.l/noa.al/