Transmetuar më 15-10-2017, 12:42

Ai ishte shpallur në kërkim që në marsin e këtij viti. Kërkohej nga Italia për trafik droge, por prej 7 muajsh qëndronte në Shqipëri.

Lëvizte lirshëm ndërsa policia e arrestoi dje. I shumë kërkuari është Nin Lalaj, 38 vjeç, nga Lezha, transmeton Klan Kosova. Lalaj rezulton një emër i njohur për drejtësinë shqiptare, por dhe atë të huaj.

Ai ishte arrestuar edhe 2 vjet më parë në Angli, për llogari të Italisë. Mediat britanike shkruajnë se ai ishte kapur për shfrytëzim prostitucioni në mars 2015, në operacionin “Alba Nostra 2”.

17 persona u arrestuan pasi shfrytëzonin për prostitucion rreth 200 vajza. Mediat e huaja shkruajnë se kryesori i grupit ishte Lalaj. “Atij duhet t’i merrje leje për të pasur prostituta në Pavia, në vitin 2013”.

Lezhjani u dënua me 3 vjet e 6 muaj burg. Gjatë procesit gjyqësor ai ishte në arrest shtëpie. Kur policia shkoi për ta dërguar në qeli, nuk e gjeti.

Mësohet se Nin Lalaj rezulton se ishte arrestuar disa muaj më parë në Angli, me një tjetër identitet. Ishte kapur në një orgji me prostituta. Ai dyshohet edhe për vepra të tjera penale, përfshirë edhe vrasje.