Transmetuar më 15-10-2017, 10:14

Maratona e Tiranës u zhvillua sot për të dytin vit radhazi dhe në të morën pjesë rreth 2500 vrapues nga 40 vende të ndryshme të botës. Pjesëmarrësit ishin nga Azia e largët, Afrika, Amerika Latine, SHBA e Europa.

Nisja e maratonës u bë nga sheshi “Nënë Tereza” dhe përshkoi disa rrugë të Tiranës.

Në këtë maratonë ishin tre kategori: 21 km; 10 km dhe “We too” (Ne gjithashtu), gara për persona me aftësi ndryshe.

Fituesit e Maratonës së Tiranës janë:

Për kategorinë 10 km

Çmimi i parë – Edwin Cheruiyot Melly

Për kategorinë “We too”

Çmimi i parë – Bledar Suxha

Çmimi i dytë – Erblin Karaj

Çmimi i tretë – Adem Demushi

Fituesi i kategorisë 10 km Edwin Cheruiyot Melly për Ora News tha se ishte i lumtur që merrte pjesë në këtë maratonë.

“Jam i lumtur që ndodhem në Shqipëri. Kjo ishte hera e parë për mua, organizimi ishte shumë mirë dhe gjithçka shkoi shumë mirë. Ishte një përvojë shumë e mirë. Kemi pasur mundësi që vullnetarë na garë të na shoqëronin vazhdimisht. Ata na treguan të gjitha drejtimet se ku duhet të kalonim”.

Çmimet e akorduara:

Për 21 km çmimi i tretë 1 mijë euro, çmimi i dytë 1500 euro dhe çmimi i parë 2500 euro

Për 10 km çmimi i tretë 400 euro , çmimi i dytë 600 euro dhe çmimi i parë 750 euro

“We too”, çmimi i tretë 500 euro, çmimi i dytë 750 euro, çmimi i parë 1000 euro

Në fjalën e tij përpara nisjes së maratonës, kryebashkiaku Veliaj e konsideroi Maratonën një ngjarje fantastike për kryeqytetin, ndërsa vlerësoi të gjitha strukturat që janë organizuar.

“Ka qenë një përgatitje fantastike. Shpresoj të dalë më mirë se vjet megjithatë dua që gjithashtu t’i japim një duartrokitje atyre që s’janë këtu, por janë 660 vullnetarë, janë 400 policë, janë plot zjarrfikës, shërbimet emergjente, plot pastrues dhe mirëmbajtës që kanë bërë një punë fantastike”, deklaroi Veliaj.

Kryetari i Bashkisë deklaroi se janë marrë të gjitha masat për mbarëvajtjen e këtij aktiviteti, ku shërbimet e emergjencës janë në gatishmëri.

“Ata që duan të thyejnë rekord, ju uroj shumë sukses, për ata të tjerët që mund të lodhen rrugës, të marrin pak pushim, të marrin pak ujë, të kërkojnë ndihmë nga shërbimet e emergjencës në qoftë se kanë nevojë, ne të sigurohemi që sot të kënaqemi dhe të keni një ditë fantastike në Tiranë”, tha Veliaj.