Transmetuar më 15-10-2017, 09:36

Nën kujdesin e Bashkisë së Tiranës dhe Federatës Shqiptare të Atletikës, më shumë se 2500 vrapues nga 40 vende të ndryshme të botës po vrapojnë sot në kryeqytet në Maratonën e Tiranës, e cila ndahet në 3 kategori.

Për të dhënë shembullin e tij, në këtë garë merr pjesë edhe Kryetari i Bashkisë së Tiranës në kategorinë e 10 km, po ashtu edhe shumë personalitete të tjera të politikës, artit dhe sportit.

Në fjalën e tij përpara nisjes së maratonës, kryebashkiaku Veliaj e konsideroi Maratonën një ngjarje fantastike për kryeqytetin, ndërsa vlerësoi të gjitha strukturat që janë organizuar.

“Ka qenë një përgatitje fantastike. Shpresoj të dalë më mirë se vjet megjithatë dua që gjithashtu t’i japim një duartrokitje atyre që s’janë këtu, por janë 660 vullnetarë, janë 400 policë, janë plot zjarrfikës, shërbimet emergjente, plot pastrues dhe mirëmbajtës që kanë bërë një punë fantastike”, deklaroi Veliaj.

Midis vrapuesve marrin pjesë edhe disa personazhe të njohur dhe kanë dhe një detyrë të rëndësishme për të bërë: një sasi të përcaktuar kilometrash. Gazetarët Ermira Kazhani dhe Endri Xhafo po vrapojnë për 21 km, po ashtu edhe atletja Luiza Gega.

Krahas kryetarit të Bashkisë, Erion Veliaj, do të vrapojn për 10 kilometra edhe prezantuesit Anjeza Maja, Dorian Ramaliu, Iva Korumi, Florian Agalliu si edhe futbollisti Kristi Vangjeli. Vrapit prej 10 kilometra i është bashkëngjitur edhe rekordmenia, atletja Klodiana Shala.

Maratona është konceptuar e ndarë në disa kategori, duke i dhënë mundësi gjithkujt që të sfidojë vetveten dhe të përcjellë tek të tjerët mesazhin për një jetë të shëndetshme përmes sportit. /b.l/noa.al/