Transmetuar më 15-10-2017, 09:13

Ka nisur në orën 09:00 në kryeqytetin shqiptar maratona, në të cilën marrin pjesë mbi 2500 vrapues nga 40 shtete të botës. Ky është edicioni i dytë, ndërsa maratonistët do të përshkojnë disa nga pikat më kryesore të qytetit.

Maratona e Tiranës zhvillohet në 3 kategori: 21 km; 10 km dhe “We too”, gara për persona me aftësi ndryshe. Erion Veliaj ka përshëndetur në nisje të maratonës së Tiranës duke iu uruar suksese të gjithë pjesëmarrësve.

“Uroj ta shijoni maratonën dhe Tiranën. Do të ketë disa festa të ndryshme. Takoni dikë që nuk e njihni dhe i thoni mirë se ke ardhur në Tiranën. Për ata që duan të thyejnë rekorde ju uroj sukses. Uroj që të kënaqemi sot”, deklaroi ai.

Bashkia e Tiranës në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, ka hartuar një plan masash për organizimin e lëvizjes së automjeteve për mbarëvajtjen e saj. Slogani i Maratonës së Tiranës këtë edicion është “Vrapo me ritmin e qytetit”.

Rrugët e bllokuara për Maratonën e Tiranës

Ndalohet qarkullimi në sheshin “Nënë Tereza”.Qarkullimi i automjeteve, mjeteve të emergjencës dhe Policisë së Shtetit do të bëhet në rrugët “Ibrahim Rugova”, “Papa Gjon Pali II” dhe në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Ndalohet qarkullimi në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, Rr. “Lek Dukagjini” dhe sheshin “Nënë Tereza” në datën 14 Tetor 2017, nga ora 08:00 deri në orën 12:30.

Qarkullimi i automjeteve, mjeteve të emergjencës dhe Policisë së Shtetit do të kalojnë në rrugën “Ibrahim Rugova”, “Papa Gjon Pali II”, “Rruga e Elbasanit” dhe “George W Bush”.

Ndalohet qarkullimi në segmentet rrugore “Lek Dukagjini”, “Ibrahim Rugova”, “Rruga e Kavajës”, deri tek rrethrrotullimi përballë “Kishës Orthodokse”, “Ded Gjo Luli”, Bulevardi “Zogu I”, “Urani Pano”, “Rruga e Barrikadave”, “George W Bush”, “Abdi Toptani” dhe Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” në datën 15 Tetor 2017, nga ora 05:00 deri në orën 14:00.

Itinerari i lëvizjes së mjeteve të transportit publik do të devijojë si më poshtë:

Rruga “e Elbasanit” do të devijohen tek “Ura e Lanës”.

Rruga “Hoxha Tahsin” do të devijohen tek sheshi “Avni Rustemi”.

Rruga “e Dibrës” do të devijohen tek “Medreseja”.

Rruga” e Kavajës” do të devijohen tek “21 Dhjetori”.

Bulevardi “Zhan D’Ark” dhe Bulevardi “Bajram Curri” do të devijohen tek ura e “Drejtorisë së Policisë” dhe tek ura e “Rruga e Elbasanit”./b.l/noa.al/