Transmetuar më 14-10-2017, 15:54

Nga Bledi Kasmi

Seanca e djeshme në Parlament shërbeu për të kuptuar jo vetëm realitetin e krimit të organizuar në Shqipëri, lidhjet e tij me politikën dhe ndikimin që ka patur në zgjedhje, sepse këto dihen dhe janë të faktuara në të gjitha raportet e brendshme dhe ato ndërkombëtare, por për të kuptuar një detaj të ri nga strategjia e ardhshme e opozitës.

Nga shqiptarët në sheshe, tek zbarkimi amerikan. Çfarë paralajmëroi dje Basha në Parlament me shprehjet “laku sa ka filluar të të ngushtohet”, “do t’ia dëgjosh krismën shumë shpejt” dhe “komuniteti ndërkombëtar të ka në rreth të kuq” apo “do ta shikoni përmes reagimit ditët e radhshme të partnerëve ndërkombëtarë”?

Këto pyetje retorike dhe paralajmërime të Bashës për atë që pritet të ndodhë gjatë ditëve dhe javëve të ardhshme sollën një reagim të sforcuar të Ramës, i cili la të kuptohet një detaj të fortë politik, sipas të cilit “në muajin nëntor do të vijnë nga Shtetet e Bashkuara dhe Gjermania ekspertë të luftës së krimit të organizuar”.

Po përse duhet të vijnë këta ekspertë në një vend ku Kryeministri sapo ka marë një mandat të fortë dhe është i pa kapur nga krimi? Përse duhen këta ekspertë kur ne kemi një ministër të Brendshëm pa lidhje me vëllanë e tij të dënuar në Itali për trafik droge?

Ardhja e këtyre ekspertëve është afishuar dje nga Rama në Parlament në shenjë paniku, por edhe për të larë duart si ponc pilati me krimin e organizuar, duke i dhënë mesazhin atyre që do të arrestohen se unë nuk kam çfarë t’u bëj më se në dorë tani punën do ta marrin amerikanët dhe gjermanët.

Nuk do të pijnë më ujë as frazat e përbetuara tek bosët e krimit si në rastin e Shijakut të Durim Keçit “se sa të jem unë Kryeministër nuk do të ketë bir nëne të të arrestojë”.

E vërteta është shumë më e hidhur se sa ajo që artikulon Rama. Në një deklaratë publike në një konferencë shtypi, Prokurori Antiamafias italiane deklaroi nga Tirana disa muaj më parë se dyshimet janë që paratë e krimit të organizuar shqiptar po shkojnë si financime të terrorizmit.

Kjo deklaratë kaloi në heshtje nga qeveria dhe shtypi i kapur. Një Prokuror i Antimafias italiane nuk flet kuturu, aq më tepër kur kemi të bëjmë me të vetmin vend sot në Europë, i cili thuajse nuk është prekur nga vala e terrorizmit, çka dëshmon për një nivel mjaft të lartë të strukturave të sigurisë. Duket se zhvillimet kanë shkuar shumë larg.

Deklaratat e Bashës dje në Parlament kanë paralajmëruar zhvillime të forta në drejtim të luftës së krimit të organizuar gjatë javëve të ardhshme, jo nga qeveria e Ramës, e cila e ka humbur plotësisht e besueshmërinë tek ndërkombëtarët, por nga strukturat partnere që kanë vendosur të zbarkojnë.

Rama do të bëjë gjithçka për të shpëtuar veten, vetëm se koka e tij është sot në tepsinë e krimit. A po synon të shpëtojë duke kërkuar statusin e të “Penduarit” duke ftuar amerikanët dhe gjermanët të çbëjnë strukturat krim-shtet që ai ka ngritur në katër vite dhe duke shpresuar që ai vetë të mos preket?

Zbarkimi amerikan do të ketë shumë zhvillime. Nuk duhet harruar se janë raste të rralla në botë kur ata kanë vendosur të ndërhyjnë në vende sovrane.

Ka ndodhur në Kolumbi, kur kanë vrarë Eskobarin, ka ndodhur në Panama me diktatorin Noriega, që pasi u arrestua edhe u ekstradua dhe u dënua në Shtetet e Bashkuara, dhe rasti i tretë i një ndërhyrje të tillë është paralajmëruar se do të ndodhë së shpejti në Shqipëri.

Qëndrimet e autorit janë personale, nuk paraqesin vijën editoriale të NOA.al