Transmetuar më 14-10-2017, 14:07

Një histori e magjishme mund të quhet ajo midis Gersit dhe Saimirit. Njëri sportist, tjetri trajner. Të dy i bashkoi i njëjti pasion: noti.

Të premten në emisionin “Oktapod” ishin të ftuar të dy protagonistët. Saimir Neziri, punon në Policinë e Shtetit, por merret edhe me pasionin e tij, duke stërvitur të rinj që e duan këtë sport, që thuajse nuk ekziston në Shqipëri.

Para 10 vitesh, Saimiri tregon që i erdhi një djalë 9-vjeçar për t’u stërvitur në pishinë. Ishte Gersi, një djalë që është me sindromën Down. Për vite me radhë, Gersi u trajnua dhe në kampionate kombëtare në vend, ka arritur deri në vendin e dytë. Por ai do të shpallet kampion ndërkombëtar.

Këtë qershor ai së bashku me trajnerin ishin në Çeki, ku u zhvillu një kampionat ndërkombëtar për notin. Gersi Troka mori vendin e gjashtë, dhe nuk nguroi që të bënte shenjën e shqiponjës. Ai thotë se ky është vetëm fillimi, pasi do të bëj krenar Shqipërinë me titujt që ai do të marrë në të ardhmen.

Ai thotë se noti është parajsa dhe se ai kur noton e ndjen veten si kampioni i botës në not Michael Phelps.

Trajneri tregon se Gersin e ndihmon prej vullnetit që ai tregon, ambicies dhe përkushtimit që tregon në stërvitje. Ai kërkon ndihmë nga qeveria qendrore dhe lokale në mënyrë që Gersi të motivohet për më shumë në të ardhmen.