Transmetuar më 12-10-2017, 18:20

Presidenti Ilir Meta nderoi dhe vlerësoi jetën, veprën e paharruar dhe kontributet madhore të Ibrahim Rugovës si dhe përkujtoi sakrificat sublime të familjes Jashari për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Presidenti Meta fillimisht bëri homazhe dhe vendosi një kurorë me lule  mbi varrin e Presidentit Ibrahim Rugova në Velani, duke u përkulur me respekt ndaj veprës dhe kontributeve historike të tij.

Më pas Meta vizitoi Kompleksion e Memorialit “Adem Jashari” në Prekaz ku pasi vendosi një kurorë me lule dhe bëri homazhet në shenjë respekti dhe nderimi për sakrificat e tyre sublime në vendprehjet e martirëve të familjes Jashari, u ndal edhe në Muzeun ku nënshkroi Librin e Përshtypjeve.

Me këtë rast Presidenti vuri në dukje se sakrificat e Adem Jasharit dhe familjarëve të tij duhet jo vetëm të frymëzojnë shqiptarët kudo ku jetojnë, por përfaqësojnë një nga aktet më frymëzuese të mbështetjes që mbarë kombi shqiptar i dha lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.

“Kur shikon gjithë ata burra, gra dhe fëmijë  të rënë, e kupton se sa i shtrenjtë ka qenë çmimi  i lirisë. Brezat e rinj sidomos duhet të shprehin nderimin, por njëkohësisht të mbajnë gjallë angazhimet për të forcuar lirinë dhe pavarësinë e Kosovës dhe dinjitetin e shqiptarëve kudo në botë”, u shpreh Meta. /b.l/noa.al/