Transmetuar më 12-10-2017, 17:55

Aktori i mirënjohur Ndriçim Xhepa po vuan nga një sëmundje e rëndë e cila i rrezikon jetën.

Në përpjekje për ta shëruar, qeveria shqiptare ka vendosur që të japë një fond financiar për kurimin e tij jashtë vendit.

Një vendim i Këshillit të Ministrave i akordon aktorit Ndriçim Xhepa, 5 milionë lekë të rinj për mbulimin e shpenzimeve të mjekimit të Xhepës në një klinikë jashtë Shqipërisë.  

Qeveria tha se vendosi mbulimin e shpenzimeve të mjekimit të z. Ndriçim Xhepa, në masën pesë milionë, si fond që do të përballohet nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.

Pagesa të bëhet me paraqitjen e faturave të institucionit të kurimit.

Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor për zbatimin e këtij vendimi i cili hyn në fuqi menjëherë. /noa.al/

Ndriçim Xhepa lindi më 21 janar 1957 në Tiranë. Pas mbarimit te studimeve për aktor, në Akademinë e Arteve, me 1979, fillon punën si aktor i Teatrit Kombëtar. Ka interpretuar rreth 40 role, nga te cilët veçohen ato në “Prometeu” te Eftimiut, “Në jete” te Dh. Xhuvanit, “Monserrati” te Roblesit, “Vdekja e një komisioneri” te Milerit, “Nen dritat e skenës”, “Nesër është vone” dhe “Shkallet” te R. Pulahes, “Nata e dymbëdhjetë” dhe “Romeo e Xhulieta” te Shekspirit, “Fernando Krafi me ka shkruar ketë letër” te Dorstit, me te cilën fiton Çmimin "Aleksandër Moisiu" për Aktorin me te Mire në Festivalin Kombëtar te Teatrit, te vitit 1995, “Vdekja e Dantonit” te Byhnerit, “Nata e trokitjeve në xhama” te Dh. Anagnostit, “Vdekja dhe virgjëresha” te Dorfmanit, “Portreti i Dorian Greit” te Uajlldit dhe “Kapitulli i Dytë” te Sajmonit me të cilin fiton Çmimin për Aktorin më të Mirë në Festivalin Mbarëkombëtar të Aktrimit, “Apollon 2004”, në Fier. Që nga viti 1988 është pedagog i jashtëm në Akademinë e Arteve, në Fakultetin e Artit Skenik.

Në vitet ’90 interpreton role protagoniste edhe në produksione te pavarura si “Kujdes! Kafshon…” te Gernit, “Mbretëresha e bukur” te Mc. Donagh, “Nesër nisemi për në parajsë” te T. Dervishit dhe “Tradhti bashkëshortore” te Pinterit. Ndërsa në Teatrin e Kombësive te Shkupit ka interpretuar në “Mbretin Lir” te Shekspirit.

Aktivizohet me sukses në rreth 30 filma, nga te cilët veçohen “Shokët” i K. Çashkut, “Kohe e largët”, “Treni niset në shtate pa pesë” dhe “Përdhunuesit” te S. Pecanit, “Duaje emrin tënd” dhe “Telefoni i një mëngjesi” te I. Muçajt e K. Mitros, “Hije që mbeten pas” i E. Musliut “Flutura në kabinën time” dhe “Dasma e Sakos” te V. Priftit, “Kthimi i Ushtrisë se Vdekur” i Dhimiter Anagnostit, “Unë e dua Erën” dhe “Porta Eva” te A. Minges, “Plumbi prej plasteline” i A. Minarollit dhe “I dashur Armik” i Gj. Xhuvanit. Aktualisht po xhiron filmin "Lutja e dashurisë", me regjisor A. Minarolli dhe Y. Aliçka.