Transmetuar më 12-10-2017, 17:27
Publicitet

Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha, pas shtyrjes për herë të dytë të seancës plenare nga Gramoz Ruçi, ka thënë para mediave, se Rama ka frikë të përballet me të vërtetat dhe faktet e opozitës.

Sipas Bashës, Ruçi me urdhër të Ramës po përpiqet me çdo kusht që të shtyjë pa fund debatin përballë qytetarëve, pasi ka frikë nga provat dhe faktet e forta të opozitës, se qeveria komandohet nga bandat dhe krimi.

“Edi Rama i trembet këtij debati dhe do të bëjë gjithçka për ta shtyrë debatin. Ne do të bëjmë gjithçka për ta bërë këtë debat. Ne nuk qeverisemi nga qeveria por nga bandat që kanë sjellë Ramën në pushtet”, u shpreh Basha.

Më te kreu i opozitës akuzoi nga pjesa e jashtme e selisë së Parlamentit kryetarin e Kuvendit Ruçi se prej dy javësh bllokon debatin parlamentar që sipas tij synon t’i mbyllë gojën opozitës.

“Nuk ka dëshmi më të qartë se kjo, nuk ka asnjë arsye Ruçi të shkelë rregulloren, përveç frikës së Ramës për tu përballur me opozitën. Ka dy javë që nuk lejohet debati. Tepsinë e ka për vete timonin për vete, tani do ti mbyllë gojën parlamentit.

Asgjësimi i debatit parlamentar do të çojë në krizën më të rrezikshme të demokracisë në këto vite. Ne duam me çdo kusht të evitojmë përplasjen, por ajo është e pashmangshme, nëse ata do vijojnë të pengojnë debatin”, u shpreh Basha. /b.l/noa.al/