Transmetuar më 12-10-2017, 13:46

Kruja tradicionale zbriti këtë të mërkurë te Pazari i Ri në Tiranë. Dhjetëra artizanë nga qyteti historik kishin ardhur për të ekspozuar produktet e tyre në hapësirën më të veçantë të kryeqytetit.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, theksoi se Pazari i Ri është kthyer tashmë në gurin e kurorës së gjithë investimeve që kanë ndodhur në kryeqytet.

“Më vjen mirë që Pazari i Ri është bërë guri i kurorës i të gjitha investimeve. Ndaj, jam shumë i lumtur që mirëpresim miq që janë kthyer për të parë se si një punë, e cila u konceptua dhe u punua për muaj të tërë dhe që pati kaq shumë kontribut, duke filluar nga pronarët, banorët, tregtarët që treguan durim, sot të kemi një ansambël fantastik. Më vjen mirë që i kemi hapur dyert për të gjithë miqtë që na kanë ardhur nga Kruja me gjithë traditat”, u shpreh Veliaj.

Kryebashkiaku tha se transformimi që ka pësuar Pazari i Ri jo vetëm që ka ndryshuar pamjen estetike të zonës, por në të njëjtën kohë ka përmirësuar edhe jetën e qytetarëve. Ai shprehu vullnetin e Bashkisë së Tiranës për të bashkëpunuar për projekte të tjera në të ardhmen.

“Unë besoj se më shumë se sa një projekt me 1000 detaje të bukura, ky është një projekt që ka ndryshuar jetën e 1000 njerëzve, që është bërë më e bukur prej faktit se ata kanë një vend pune, punojnë me djersën e tyre në një mjedis kaq fantastik. Për gjëra të bukura dhe për jetë të bukura që ndryshojnë qytetin e Tiranës jemi gati të bashkëpunojmë dhe ta çojmë akoma më tej”, tha ai. /b.l/noa.al/