Transmetuar më 12-10-2017, 13:24

Ndërkohë që PD-LSI -PR u bënë bashkë për të kërkuar përjashtimin e kryeministrit Edi Rama nga Kuvendi, as deputetët e Partisë Socialiste nuk kanë ndjenjur në heshtje.

Deputetët socialistë kanë firmosur një kërkesë ku kërkojnë përjashtimin me 10 ditë nga punimet e Kuvendit të deputetit të PD-së, Flamur Noka.

Deputeti Noka u  përjashtua nga seanca e sotme, pasi bllokoi foltoren duke mos  lejuar deputetin Shezai Rrokaj të fliste. 

Noka kërkoi fjalën për procedurë, për të shprehur shqetësimin se kryeministri Edi Rama fyeu deputetin Berisha. 

Më herët ishin demokratët ata që kërkuan përjashtimin nga Kuvendi të kryeministrit Edi Rama, pasi sipas tyre ai ka fyer në mënyërë të përsëritur ish-kryeministrin Berisha.

Deputetët e PD-së, mblodhën firmat për të kërkuar përjashtimin e numrit një të qeverisë për 10 ditë nga Kuvendi. “Rama ofendoi Berishën në mënyrë të përsëritur, me fjalor të papranueshëm, vulgar”. Ky ka qenë dhe argumenti i kërkesës së PD-së.

“Në emër të grupeve parlamentare të Partisë Demokratike, Lëvizjes Socialiste për Integrim, dhe Partisë Republikane, kërkojmë përjashtimin e Edi Ramës nga seanca”, thuhet ndër të tjera në kërkesë.

E ndërsa seanca e Kuvendit është ndërprerë pas vendimit të kryeparlamentarit, Gramoz Ruçi dhe do të rinisë në orën 17:00, deputetët demokratë e kanë tashmë të qartë se çfarë do të bëjnë.

Ashtu sikundër edhe javën e kaluar, kur u përjashtua kreu i tyre, Lulzim Basha, ata do të qëndrojnë në sallë deri në rinisjen e seancës./b.l/noa.al/