Transmetuar më 12-10-2017, 12:08

Kryeministri Edi Rama reagon pas ndërprerjes së seancës parlamentare të ditës së sotme, pas përjashtimit të deputetit demokrat Flamur Noka dhe mos daljes nga salla.

“Përsëri pushtohet foltorja e ndërpritet puna e Kuvendit, sepse PD nuk thahet dot nga rrebeshi i zgjedhjeve dhe di vetëm e lagu s’e lagu”, shkruan Rama në Facebook.

Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi vazhdon me qëndrimet e prera të drejtimit të seancës parlamentare.

Pasi i komunikoi masën e përjashtimit nga seanca e sotme deputetit demokrat Flamur Noka dhe ndërpreu seancën parlamentare, në rinisje të saj ligjvënësi demokrat nuk e kishte lënë sallën, edhe pas ndërhyrjes së Gardës.

Në këto kushte Ruçi në zbatim të rregullores lajmëroi pezullimin e seancës për në orën 17.00 të pasdites së sotme.

Përjashtimi i Nokës, është i dyti në radhët e demokratëve, pasi javën e kaluar Ruçi përjashtoi nga seanca liderin e opozitës Lulzim Basha.

Noka u përjashtua pasi kërkoi që ish-Kryeministri Sali Berisha të vijojë fjalën pavarësisht përfundimit të minutazhit, teksa diskutohej ligji për minoritetet.

Pas debateve me fjalë, Noka është ngritur dhe ka bllokuar foltoren, duke bërë që Ruçi ta paralajmërojë të ulet.

Por Noka u drejtua duke thënë “Nuk ke b… ti t’i ndërpresësh fjalën Berishës”.

Ndërkohë duke i’u drejtuar Berishës, Rama i tha “Ka rrjedhur”.

Duke lexuar rregulloren Ruçi tha, “pushton foltoren, merr fjalën pa ta dhënë drejtuesi i seancës, pengon diskutantin për të dhënë mendimin e tij. Të kam bërë tre herë vërejtje, përjashtohet Flamur Noka nga seanca e sotme”. /a.y/noa.al