Transmetuar më 12-10-2017, 11:24

Kryeministri Edi Rama ka replikuar në seancën e sotme parlamentare me kryetarin e Partisë për Bashkimin e të Drejtave të Njeriut, Vangjel Dule, lidhur me ligjin për minoritetet.

Rama tha se Dule është një minoritar, por jo minoriteti.

“Nëse s’do të të njihja, do mendoja se e ke nga mendjeleshtësia, por duke të njohur, i dashur Vangjeli ti je i qëllimshëm, sa herë më vë gjëra në gojë që unë s’i kam thënë kurrë. Së pari, ti je minoritar dhe jo minoriteti dhe je gjithnjë e më pak përfaqësues i atij minoriteti të denjë që ne i kemi dhënë dhe respektin që i japim edhe me ligjin që kalojmë sot”, u shpreh Rama.

Ai tha se Europa, nuk është as kishë dhe as xhami, por një kontinent ku bëjmë pjesë dhe se fakti që nuk jemi në Bashkimin Europian, nuk na bën më pak të tillë.

“Ne kemi të drejtën të themi atë që mendojmë për BE dhe jo zotrote të vijë këtu dhe të vërë në gojë gjëra që s’i kam thënë kurrë, kështu që mësoi këto. Ligji është krenari për këtë Parlament, është një arsye që tjerët rreth nesh të mësojnë si respektohen minoritetet”, deklaroi Rama.

Duke e thirrur ironikisht “Vangjeli”, Rama iu drejtua duke i thënë se e ka bërë rrugë që ta citojë gabim, sa herë vë fjalët e tij në gojë.

Sipas tij, ligji është krenari për këtë vend dhe të tjerët të mësojnë nga ne sesi respektohet minoriteti.

Nga ana e tij Duke tha se regjistrimi i popullsisë u bë në vitin 2011, duke thënë se para censusit dihen mendimet që iu bënë ligjit.

“Vjen Këshilli i Europës dhe na thotë se ai census me amendimet e momenteve të fundit shkel parimet që përcaktohen në nenin 3 të konventës kuadër. Deri sot kishim konventën kuadër kishim edhe shkeljen e konventës kuadër me ligjin për cenusin e republikës. Sot vjen qeveria e zotit Rama dhe e sanksionon këtë shkelje në nenin 5 të këtij ligji, kur thotë se: Minoritet se ku janë se kush janë do të përcaktohet në bazë të ligjit. Këshilli i Evropës e thotë qartë: Parametrat e ligjit në ato aspekte që lidhen ne të drejtat e minoritetit të vetëidentifikimit bien ndesh me nenin 3 të konventës kuadër”, deklaroi Dule.

Ai shtoi se ligji “Rama”, kërkon që të respektohen të drejtat, në bazë të ligjislacionit mbi censusin, që sipas tij është në shkelje flagrante të konventës kuadër. /a.y/noa.al