Transmetuar më 12-10-2017, 11:10

Identifikohen autorët e dyshuar të krimit që mbrëmjen e djeshme tronditi qytetin e Lushnjes, duke shpallur në kërkim dy persona të cilët rezultojnë me precedentë penalë.

Ndërkohë njëri prej viktimave rezultonte i armatosur me pistoletë.

Konfirmohet se autorët e dyshuar të asaj ngjarje janë Laert Haxhiu dhe Orest Bilbili të cilët janë shpallur në kërkim, ndërsa konfirmohet lidhja e ngjarjes me nipin e Aldo Bares.

Lidhur me ngjarjen e ndodhur mbrëmë në qytetin e Lushnjes, në vendin e quajtur “Kryqëzimi i Urës së Përroit” ku u qëlluan me armë zjarri e për pasojë gjetën vdekjen Zamir Latifi, 26 vjeç, banues në Lushnje, dhe Jurgen Hoxha, 26 vjeç, banues në Lushnje si dhe u plagosën dy persona të tjerë, grupi hetimor zbardhi autorësinë dhe shpalli në kërkim dy persona.

Me marrjen e njoftimit nga ana e Komisariatit të Policisë Lushnje u organizua puna dhe u ngritën menjëherë pika kontrolli nëpër kryqëzimet, hyrjet dhe daljet në qytet me qëllim kapjen e autorëve.

U njoftua Drejtoria Vendore e Policisë Fier, Berat e Durrës me qëllim ngritjen e pikave të kontrollit në akset rrugore.

Grupi hetimor ka shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes, ku u kryen veprimet e mëposhtme, si këqyrja e vendit të ngjarjes ku u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale gëzhoja si dhe një pistoletë, e cila dyshohet se i përkiste viktimës Latifi.

Grupi hetimor sekuestroi si prova materiale pamjet filmike në dy biznese në afërsi të vendit të ngjarjes.

Rreth orës 19:15, në parcelat e fshatit Çukas, në krahun e majtë të rrugës nacionale Lushnje-Berat, u gjet i djegur një automjet tip Mercedes-Benz.

Në brendësi të tij u konstatuan dhe u sekuestruan tre armë zjarri dhe një fishek i paplasur.

Këqyrja e mëtejshme e automjetit për të përcaktuar numrin e shasisë po vijon në Komisariatin e Policisë Lushnje.

Nga analiza e ngjarjes dhe informacioneve qe ka mbledhur grupi hetimor, pjese e të cilit ishin edhe Drejtues nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, rezulton se ngjarja e djeshme ka lidhje me ngjarjen e datës 25 shtatorit 2016 ndodhur në qytetin e Lushnjes ku është tentuar të vriten me armë zjarri dy persona. Bëhet fjalë për ngjarjen ku mbeti i plagosur nipi i ish-kreut të bandës së Lushnjes, Aldo Bares (Alfred Shkurti).

Në atë ngjarje mbeti i plagosur nipi i Bares, Xhulio Shkurti 22 vjeç dhe Sajmo Xholiu 25 vjeç.

Të dyshuarit për atentatin e djeshëm, Haxhiu dhe Bilbili janë shpallur në kërkim për kryerjen e veprave penale “Vrasje e mbetur në tentativë e kryer në bashkëpunim” dhe “Mbajtje pa leje e armëve të zjarrit dhe municioneve”.

Aktualisht po vazhdon puna për ndalimin dhe kapjen e tyre.

Policia e Shtetit fton qytetarët që të telefonojnë në numrin 129 për çdo informacion apo paligjshmëri që konstatojnë. /a.y/noa.al

Atentati me dy të vrarë dhe dy të plagosur, shoqërohet në polici nipi i Aldo Bares

Atentati me dy të vdekur dhe dy të plagosur, një nga viktimat i afërm i Aldo Bares

Lushnje, 2 të vdekur dhe 2 të plagosur nga atentati në mes të qytetit

Dy të vrarë dhe një i plagosur në atentatin e Lushnjes, identifikohen viktimat