Transmetuar më 12-10-2017, 10:07

Prej afro dy vitesh ata janë bërë prindër të së voglës Ameli, por këngëtarja Miriam Cani dhe Alban Skënderaj nuk janë të martuar.

Ndërsa prej dhjetë vitesh janë bashkë, nuk janë ende të vendosur për t’u martuar.

E ftuar mëngjesin e sotëm në emisionin “Wake Up” në Top Channel, Miriami e cilësoi martesën si një temë delikate.

“E kemi diskutuar shumë herë këto vite, por në radhë të parë duhet të gjejmë kohën sepse me angazhimet profesionale dhe pastaj me ardhjen e Amelisë s’na shkonte ndërmend”, u shpreh Miriami.

Ajo tha se ajo dhe Albani janë tipa të tërhequr, por për një gjë garantoi, “Një ditë do të ndodhë. Kur të na vijë natyrshëm do e bëjmë, pa planifikime”.

Lidhur me raportin që Albani ka me vajzën e tyre, Miriami tha se ai është një baba shumë i përkushtuar, pavarësisht angazhimeve të shumta që ka.

Pas afro dy vitesh mungesë në ekran, Miriami po përgatitet për t’u rikthyer si pjesë e trajnerëve të spektaklit të talenteve për fëmijë “The Voice Kids”. /a.y/noa.al