Transmetuar më 12-10-2017, 09:51

Nuk kanë fund tentativat për të trafikuar lëndë narkotike nga Shqipëria drejt shteteve fqinje.

Efektivët e policisë kufitare të Sarandës në Qafë Botë, në vendin e quajtur “Lugina e Shkëmbit të Bufit”, në afërsi të Konispolit mbrëmjen e djeshme, kanë konstatuar një person i cili ecte në këmbë me një gomë automjeti në dorë në drejtim të kufirit grek.

I dyshuari sapo ka parë forcat policore ka braktisur gomën e mjetit në tokë dhe është larguar për t’iu shmangur forcave policore të kufirit duke përfituar edhe nga errësira.

Në përfundim të hetimit dhe verifikimit të gomës së gjetur është konstatuar se në brendësi të saj kishte të fshehura 14 pako me lëndë narkotike kanabis sativa, me peshë totale prej 8 kilogramë.

Nga ana e policisë kufitare në bashkëpunim me uniformat blu të Sarandës dhe policinë greke, vazhdon kontrolli dhe krehja e territorit përreth me qëllim kapjen dhe ndalimin e autorit.

Lidhur me këtë rast materialet i kaluan Prokurorisë për veprën penale “Trafikim i lëndëve narkotike, mbetur në tentativë”. /a.y/noa.al