Transmetuar më 11-10-2017, 21:20

Një foshnjë 15-muajshe ka ndërruar jetë gjatë ditës së sotme në Klinikën Infektive në QKUK në Prishtinë të Kosovës.

Fëmija i komunitetit rom, që ishte shtruar në këtë klinikë para tri ditësh, ishte diagnostikuar me fruth dhe ishte konstatuar se nuk ishte i vaksinuar.

Zyra për informim e QKUK-së njofton se pavarësisht kujdesit nga stafi mjekësor i Klinikës Infektive, fëmija nuk ka arritur të mbijetojë.

Bëhet e ditur se në këtë klinikë janë duke u trajtuar edhe 100 raste të tjera të diagnostikuar me fruth.

Ditë më parë, Kohavision ka raportuar se papërgjegjshmëria e prindërve romë, ashkali dhe egjiptianë në Komunën e Fushë Kosovës e ka shtyrë stafin mjekësor të kësaj komune që të dalë në çdo shtëpi për t’i vaksinuar të vegjlit e këtyre komuniteteve.