Transmetuar më 11-10-2017, 16:41

Zbardhet kallëzimi i biznesmenit italian Vincezo Ricci, i cili akuzon për mashtrim ish-deputetin Eduard Ndocaj i njohur ndryshe si “Kaubojsi”.

Biznesmeni 64-vjeçar në kallëzimin e tij thotë se gjatë vitit 2016, në mes të muajit mars është njohur në Itali me Ndocaj nëpërmjet një kolegut të tij italian Ambrogio Pozzi.

Ricci tregon se kolegu ia kishte prezantuar Ndocaj si deputet të Parlamentit shqiptar i cili kërkonte një ndërmarrje e cila merret me shtrimin e tubacioneve për gazsjellësin TAP.

“Pas këtij prezantimi kam vazhduar takimet me Ndocaj, i cili më premtoi se qeveria shqiptare ka 50 deri 80 kilometër tubacion për të shtuar. Fliste në emër të qeverisë. Pas dy javësh në këmbim të kësaj oferte më ka kërkuar një dhuratë e cila është automjeti Audi Q7, unë ja dhashë në përdorim”, është shprehur biznesmeni italian.

Ai ka shtuar më tej se Ndocajt i ka dhënë edhe 78 mijë euro, si dhe i ka paguar gjobat prej 8 mijë euro, për të cilat “Kaubojsi” ishte ndëshkuar në Itali për tejkalim shpejtësie.

Vincenzo Rivvi shton se këto sasi parash ia ka kërkuar një muaj pasi i mori makinën, duke i thënë se për të fituar tenderin një nga përfaqësuesit e qeverisë kërkon 50 mijë euro.

“Më tha se 25 mijë i donte menjëherë dhe pjesën tjetër me firmosjen e kontratës. I dhashë pa asnjë dokument 25 mijë euro dhe pas dy javësh edhe 25 të tjera. E kam pyetur vazhdimisht se kur do e fitoj këtë tender por Ndocaj me nxirrte vazhdimisht justifikime, dhe brenda harkut të tre muajve ka marrë dhe pjesën tjetër prej 28 mijë eurosh”, shpreht italiani, i cili pohon se pas zvarritjeve ka kuptuar mashtrimin.

Ndaj ish-deputetit Ndocaj kanë nisur hetimet në gjendje të lirë nën akuzën e mashtrimit, ndërkohë që ai mohon çdo gjë të tillë. /a.y/noa.al

Reagon Ndocaj: Nuk jam ndaluar, ndodhem në traget duke shkuar në Itali

Ndalohet ish-deputeti Eduart Ndocaj, akuzohet për mashtrim