Transmetuar më 11-10-2017, 16:11

Zbardhet ngjarja e ndodhur një ditë më parë ku nga persona të pa identifikuar u dhunuan dy persona, punonjës në një firmë Hec-i.

Policia thotë se ka bërë identifikimin e autorëve të dyshuar të cilët ushtruan dhunë ndaj dy punonjësve, duke vënë në pranga një person dhe duke shpallur në kërkim tre të tjerë.

Rreth orës 17.00 të së martës, policia e Bulqizës është njoftuar nga spitali se kishin shkuar për të marrë ndihmë mjekësore dy persona, G.B., 50 vjeç, banues në Elbasan, dhe I.R., 45 vjeç, banues në Durrës, punonjës në një firmë Hec-i.

Ata kanë deklaruar se së bashku me tre punonjës të tjerë në vendin e quajtur “Liqeni i Bardhë”, Valikardhë-Bulqizë, janë dhunuar me sende të forta nga persona të maskuar, të cilët kanë qëlluar dhe me armë zjarri në ajër.

Dy të dëmtuarit janë jashtë rrezikut për jetën ndërsa tre të tjerët nuk kanë marrë asnjë dëmtim.

Pas deklarimeve të bëra në polici, kanë nisur hetimet për zbardhjen e kësaj ngjarje, duke bërë të mundur identifikimin e personave të përfshirë në këtë ngjarje.

Nga ana e uniformave blu u bë arrestimi i Gëzim Liçit, 44 vjeç, banues në Bulqizë. Ai dyshohet se ka dhunuar shtetasit G.B., dhe I.R.

Si dhe u shpallën në kërkim shtetasit B.Liçi, A.Liçi, R.S., por për shkak të hetimeve nuk bëhen me dije të dhëna të tjera.

Nga veprimet e kryera nga grupi hetimor në vendin e ngjarjes është gjetur një gëzhojë model 56. Po ashtu janë konstatuar dëmtime të pjesshme në xhamat e dy mjeteve.

Aktualisht vijojnë hetimet për zbardhje e plotë të rrethanave të ngjarjes, si dhe për kapjen e personave që janë shpallur në kërkim.

Lidhur me këtë ngjarje materialet iu referuan Prokurorisë së Dibrës për ndjekje të mëtejshme. /a.y/noa.al

Si ndodhi plagosja e personave në Bulqizë, konfikti që mund të kthehet në tragjedi

Bulqizë, punonjësit e HEC-it dhunohen nga persona të armatosur