Transmetuar më 11-10-2017, 15:30

Një llogari bankare me vlerë 187 mijë euro është vënë nën sekuestro. Në vijim të planit të operacionit “Vjeshtë 2017”, për goditjen e pasurive kriminale gjatë ditës së sotme, është bërë sekuestrimi i llogarisë bankare në Sarandë.

Sekuestrimi i llogarisë bankare me shumën e vlerave monetare, të dyshuara se janë përfituar në mënyrë të paligjshme është kryer mesditën e sotme, e mërkurë.

Sekuestroja u bë për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Llogaria bankare i përket 46-vjeçarit J.G., banues në Finiq, Sarandë, i cili do të procedohet në gjendje të lirë.

Neni- Pastrimi i produkteve të veprës penale

1. Pastrimi i produkteve të veprës penale i kryer nëpërmjet:

a) këmbimit ose transferimit të pasurisë, që dihet se është produkt i veprës penale, për fshehjen, mbulimin e origjinës së pasurisë ose dhënien e ndihmës, për të shmangur pasojat juridike, që lidhen me kryerjen e veprës penale;

b) fshehjes ose mbulimit të natyrës, burimit, vendndodhjes, vendosjes, zhvendosjes së pronësisë ose të të drejtave të tjera, që lidhen me pasurinë që është produkt i veprës penale;

c) kryerjes së veprimeve financiare dhe transanksioneve të copëzuara për shmangien nga raportimi, sipas ligjit për pastrimin e parave;

ç) shfuqizuar;

d) këshillimit, nxitjes ose thirrjes publike për kryerjen e secilës prej veprave të përcaktuara më sipër;

dh) përdorimit dhe investimit në veprimtari ekonomike ose financiare të parave ose sendeve, që janë produkte të veprave penale, dënohen me burgim nga tre deri në dhjetë vjet dhe me gjobë nga 500 mijë lekë deri në 5 milionë lekë.

2. Kur kjo vepër kryhet gjatë ushtrimit të një veprimtarie profesionale, në bashkëpunim ose më shumë se një herë, dënohet me burgim nga pesë deri në pesëmbëdhjetë vjet dhe me gjobë nga 800 mijë lekë deri në 8 milionë lekë, ndërsa kur ka sjellë pasoja të rënda, dënohet me burgim jo më pak se pesëmbëdhjetë vjet dhe me gjobë nga 3 milionë lekë deri në 10 milionë lekë.

3. Dispozitat e këtij neni zbatohen edhe në rastet kur personi, që ka kryer veprën prej së cilës burojnë produktet e veprës penale, nuk mund të merret i pandehur, nuk mund të dënohet, ekziston një shkak që e shuan veprën penale ose mungon njëri nga kushtet e procedimit penal për një vepër të tillë. /a.y/noa.al