Transmetuar më 11-10-2017, 13:12

Dy persona janë shoqëruar në polici, si të dyshuar për grabitjen e ndodhur në banesën e nënës së ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri.

Të shoqëruarit dyshohet të jenë autorët e grabitjes së banesës së të moshuarës.

Ndërkohë nëna e ministrit, 67-vjeçarja Lirie Gjiknuri ka thënë se i kanë marrë rreth 3 milionë lekë të vjetra, të cilat i kishte mbledhur nga pensioni.

“Nuk bëhet fjalë për shumë miliona, por disa para që kisha hequr mënjanë nga pensioni i disa muajve”, ka thënë e moshuara para uniformave blu, ndërsa banesa dyshohet të jetë vjedhur një ditë më parë.

Mendohet se hajdutët kanë hyrë nga dritarja e banjës së banesës e cila ndodhet në katin e tretë të një pallati të vjetër.

Po ashtu janë marrë edhe disa sende me vlerë. Grabitja ka ndodhur në rrugën “Maliq Muça” në kryeqytet, në momentin që në banesë nuk ka patur njeri.

Policia bëri këqyrjen e kamerave të bizneseve për rreth, duke çuar në shoqërimin e dy të dyshuarve. /a.y/noa.al