Transmetuar më 11-10-2017, 09:18
Publicitet

Ermal Mamaqi është personazhi më i ndjekur në profilet sociale në Shqipëri. Aktori i humorit, i cili tani drejton edhe Xing me Ermalin, ka qenë mbrëmjen e djeshme i ftuar në emisionin Studio e Hapur, të gazetares Eni Vasili në News 24, nga ku zbuloi se fiton edhe para cash nga llogaria e tij për shkak të postimeve që bën vazhdimisht.

Duke rrëfyer edhe rrugën si e ka nisur këtë faqe sociale e cila tashmë është për të edhe një zë biznesi, Ermali jep detaje për mënyrën se si funksionon faqja dhe portali “Xing me Ermali”, të cilin ai e drejton prej disa muajsh.

“Facebook bën një lidhje me portalin që unë administroj. Për shkak të postimeve në rrjetet sociale, kam përfituar edhe shërbime falas. Po marr edhe para cash nga Facebook. Për shembull një kompani më paguan për numër postimesh. Ka një listë çmimesh për të cilat dakordësohet. Në faqen time, unë bëj shpërndarje të lajmeve të portalit dhe kjo është arsyeja pse ne jemi ndër faqet më të klikuara, pra për shkak të klikimeve nga Facebook”, tha Ermali.

Por si e ka nisur Mamaqi rrugëtimin përmes Facebook-ut me faqen e tij që tashmë numëron më shumë se dy milionë ndjekës?

Siç tregon ai, llogaria e tij është aktive prej më shumë se 4-vjetësh. Në vitin 2013 ai mori llogarinë e një djali të ri, i cili kishte hapur një profil me emrin e Ermalit. Pasi kontaktoi me autorin, Ermali bashkoi dy faqe të rreme të hapura me emrin duke ruajtur numrin e fansave.

“Ka qenë viti 2013 kur unë kam hyrë në Facebook dhe dikush kishte hapur një faqe me emrin Ermal Mamaqi dhe hiqej si unë. Faqja kishte 10,000 veta dhe në atë moment unë e mora dhe faqja u rrit. Unë gjeta edhe një faqe tjetër me emrin tim dhe në momentin që u vërtetova që isha unë, Facebook m’i bashkoi fansat. Ai djali ma dhuroi, nuk ia bleva faqen që ishte me emrin tim. Ai ishte adoleshent që kishte qejf të postonte”,tregon më tej Ermali.

I pyetur nëse e konsideron veten mbret apo skllav të rrjeteve sociale, Mamaqi tha se e ndjen veten në mes: “Unë e konsideroj veten në mes dhe e kam çliruar nga skllavëria, se nuk merrem me të. Me administrimin e rrjeteve sociale merret një djalë”. /b.l/noa.al/