Transmetuar më 10-10-2017, 20:54

Sipas kryetares së Lëvizjes Socialiste për Integrim 80% e Shqiptarëve janë në opozitë me këtë qeveri. Në një intervistë për TPZ.al, Kryemadhi ka hedhur akuza të forta në drejtim të qeverisë, e cila sipas saj është e kapur nga krimi, dhe tani shtrihet drejt sistemit të drejtësisë.

“Unë mendoj që 80% e Shqiptarëve janë në opozitë me këtë qeveri, ndërsa partitë politike duhet të kthjellohen dhe duhet të zënë llogoret e tyre në skenën politike sepse qytetarët po bëjnë më shumë opozitë sesa vetë partitë politike. Krimi ka kapur çdo segment të shtetit dhe tani po shtrin dhe falangat e tij drejt sistemit të drejtësisë”, ka thënë Kryemadhi.

Kryetarja e LSI-së është treguar e dretpërdrejtë kur ka thënë se të dy partitë, si PD dhe PS kanë shkaktuar dëme të mëdha për demokracinë. Ajo tha se marrëdhënia në opozitë me PD-në do kohën e vet të parë se si do shkojë.

“Përsa i përket marrëdhënies tonë me PD ne kemi filluar akordimet tona në parlament. Sigurisht që do kohën e vet dhe momentin e vet duke pasur parasysh angazhimet dhe të qenit të LSI katër vjet në qeverisje apo dhe marrëveshja që bëri PD në 17 maj me PS, janë pothuajse të barabarta në dëmin që i kanë shkaktuar demokracisë”, ka vijuar Kryemadhi.

Ajo e mbyll intervistën me një batutë kur thotë se “në këndvështrimin gazetaresk, unë do të thosha pastaj: në Parajsë unë do të kem një vend më të mirë se Ilir Meta”. /k.k/noa.al/