Transmetuar më 10-10-2017, 15:16

Prokuroria e Fierit ka zbardhur dosjen e plotë referuar teknologut të Ballshit, Shefo Duraj, i cili u zhduk dhe me pas u gjet i vdekur. Ngjarja ka ndodhur një vit më parë ku në orët e pasdites në vendin e quajtur “Bregu i Shkunëzës” u gjet e djegur kufoma e teknologut Duraj. Prokuroria njofton gjithashtu se nga akti i ekspertimit është vërejtur: Thyerja në kokë në regjionin parietal të majtë është shkaktuar me mjete prerëse-çarës, thyerja e brinjëve janë shkaktuar me mjete të forta jo të mprehta.

Ngjarja

Fakti penal i referohet ngjarjes së datës  29.11.2016, në orët e pasdites, në vendin e quajtur “Bregu i Shkunjëzës”, që të çon për në fshatin Kalenjë Mallakastër, u gjet i djegur kufoma e shtetasit Shefo Duraj, me banim në fshatin Kalenjë, për të cilin familjarët e tij më datë 15.11.2016 kanë bërë kallëzim në Komisariatin e Policisë Mallakastër, për humbjen e këtij shtetasi. Kufoma u konstatua se ishte i djegur.

Ekspertiza

Nga akti i ekspertimit mjekoligjor datë 30.11.2016, ka rezultuar se në trupin e viktimës së shtetasit Shefo Duraj vërehen: Thyerja e vërejtur në kokë në regjionin parietal të majtë është shkaktuar me mjete prerëse-çarës, thyerja e brinjëve janë shkaktuar me mjete të fortë jot e mprehtë. Djegia e lëkurës është shkaktuar nga veprimi i temperaturave të larta mbi trup (siç mund të jetë flaka).

Motivi i vrasjes

Nga veprimet hetimore ka rezultuar se viktima Shefo Duraj mund të jetë vrarë për motive hasmërie, pasi babai i tij Llane Duraj ka vrarë rreth viteve 1968 një bashkëfshatarin e tij që quhej My.G dhe se djali i My.G i cili quhet Mu. G. ka dijeni për vrasjen e shtetasit Shefo Duraj. Për këtë, janë kryer kontroll në banesën e shtetasit M.G, në të cilën u gjet ky i fundit, gruaja e tij dhe djali i tij. Në kontrollin e banesës u gjetën dy sëpata të vogla, një sëpatë e madhe, një kosare, një bel si dhe dy bidona plastik 1.5 l, njëra e mbushur plot dhe tjetra deri në 1/3 e saj me lëndë të dyshimtë djegëse, të cilat u sekuestruan me cilësinë e provës materiale për ekspertime të mëtejshme.

Gruaja e viktimës, Shyqyrie Dunaj rrëfen si u zhduk i shoqi

Më datë 13.11.2016, Shefoja ka qenë me shërbim turni i tretë natën, të cilën e merrte në orën 23:00 dhe e linte në orën 07:00 të mëngjesit të ditës së nesërme. Sipas saj, Shefoja ka dalë nga shtëpia rreth orës 21:30 duke i thënë asaj se të nesërmen pasi të linte punën do të shkonte në fshatin Gjerbëz për ngushëllim te shtetasi N.B. Të nesërmen e datës 14.11.2016, Shyqyrija nuk pati mundësi që të komunikonte në telefon me Shefon, pasi nuk kishte lek në telefon dhe duke qenë se pas ngushëllimit ku do shkonte ishte po atë ditë turni i tretë natën, mendoi se Shefoja mund të flinte tek e motra e tij në qytetin e Ballshit. Sipas saj, vajza i kishte bërë telefonatë rreth orës 08:30 të datës 14.11.2016 dhe kishte konstatuar se ishte i fikur.

Duke qenë se edhe më date 14.11.2016 Shefoja nuk erdhi në banesë, atëherë ata e kanë kërkuar dhe kanë bërë kallëzim në Komisariatin e Policisë Mallakastër për humbjen e tij. Në lidhje me këtë ngjarje, ajo ka thënë se Shefoja nuk ka pasur konflikte, por dyshonte se njëherëë në muajin gusht apo shtator të këtij viti ka ardhur një nipi i M.G. nga Berati dhe kishte pyetur Shefon se ku kalohej për në Aranitas dhe Shefoja ia kishte treguar rrugën. Këtë dyshim Shyqyrija e kishte, pasi para viteve 1990 babai i Shefos që quhej Llane ka vrarë me thikë babanë e shtetasit M.G. /b.l/noa.al/