Transmetuar më 09-10-2017, 23:51

Shqipëria e mbylli me humbje ndeshjen e fundit përballë Italisë, e vlefshme për eliminatoret e Botërorit “Rusi 2018”.

Kombëtarja shqiptare është mundur me rezultatin 1-0 nga Italia, në takimin e luajtur mbrëmjen e sotme në stadiumin “Loro Boriçi” në Shkodër pas golit të Candrevas.

Ndërkaq në një prononcim për RTSH, Armando Sadiku ka zbuluar bisedën me portierin legjendar italian Gigi Buffon.

“Luajtëm të barabartë. Kishim disa mundësi goditëm disa herë portën. U ndëshkuam nga një gabim. Të kishim pasur pak fat do kishim shënuar. Bufoni është një legjendë. Do kisha dëshirë t’ia kisha bluzën ndaj ia kërkova në një korne dhe më tha do ta jap në fund të ndeshjes.

Ishim pak konfuzë, e kërkuam golin me shumë ngulm. Nuk na doli loja që deshëm. U mundova të dal nga krahët të ndihmoj çunat. Ishte e vështirë të luaje me dy mbrojtësa të gjatë. Nuk mund të them që nuk u furnizova. Por nuk shënuam.

Bonuci dhe Kielini janë lojtarë me eksperiencë, flisnin shumë me njëri tjetrin. U mundova t’i kapja mbrapa shpinë. Ishte e vështirë, i krijuam rastet. Duhet ti kishim shfrytëzuar rastet” , deklaroi Sadiku në një prononcim për RTSH./a.k/noa.al/